Mbyllet Machu Picchu, një nga ikonat e turizmit botëror
25 Janar 2023
Machu Picchu një nga ikonat e turizmit, jo vetëm peruan, por edhe botëror është mbyllur për një kohë të pa caktuar për turistët.
Shkak për mbylljen e atraksionit turistik janë bërë protestat e vazhdueshme në Peru kundër kreut të shtetit.
Qeveria në reagimin e saj tha se e mori vendimin për të mbrojtur turistët dhe qytetarët e saj.
Qindra njerëz, kryesisht të huaj, mendohet se aktualisht janë të bllokuar në zonë.
Peruja është përfshirë gjatë muajve të fundit nga protesta të dhunshme, të cilat filluan pasi lideri i mëparshëm u rrëzua.
Demonstruesit po kërkojnë zgjedhje të reja dhe kërkojnë që presidentja e re Dina Boluarte të largohet, gjë që ajo deri më tani ka refuzuar ta bëjë.
Në përleshjet e fundit, rrugët u bllokuan dhe policia hodhi gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, të cilët kundërshtonin forcat e sigurisë duke i qëlluar me gurë.
Turistët e bllokuar në Machu Picchu janë të fundit që e shohin veten të paaftë për t’u larguar, pasi dhe më herët protestuesit kanë bllokuar linjat e transportit.
Muajin e kaluar, autoriteteve iu desh të shpëtonin qindra turistë nga aty pranë, të cilët ishin bllokuar për ditë të tëra.
Mbyllja e së shtunës vjen pasi shërbimet hekurudhore në vend u pezulluan, pasi traseja u dëmtua nga demonstruesit.
Në një deklaratë, ministrja e Kulturës së Perusë tha se ata që kishin blerë tashmë bileta do të mund t’i përdorin ato pas përfundimit të demonstratave ose do të rimbursoheshin.
Gazeta Dita