Mbyllet për qarkullim edhe pikëkalimi në Merdar
7 Shtator 2024
– Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka njoftuar për mbylljen edhe të pikëkalimit kufitar në Merdar.
“Pas veprimeve të njejta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, ka shkruar ai në Facebook mbrëmjen e së premtes.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për mbylljen për qarkullim të pikëkalimit kufitar me Serbinë, në Bërnjak. Ai ka thënë se vendimi është marrë pasi njerëz të maskuar në Serbi kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Në një rast, sipas Sveçlës, një familjes që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Këto akte ai i ka quajtur fashiste. Ka thënë se ato po ndodhin para syve të Policisë së Serbisë, të cilën e ka quajtur bashkëfajtore.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ndërkaq burimet për KOHËN kanë treguar se kryetari i komunës ilegale të Zubin-Potoku, Srdjan Vuloviq është ndaluar në Bërnjak në tentimin e tij për të hyrë në Kosovë. Ai është duke qëndruar te pjesa serbe.
Edhe rrugët tjera në Serbi, e që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Merdar dhe Jarinjë, janë bllokuar pasditen e së premtes nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës.
Qytetarët serbë që janë futur në Kosovë nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë kanë thënë se po u kërkohen dokumente.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Nga Gazeta Koha, Prishtinë.
Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.
Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.
Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë. E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.