15 Dhjetor 2023

Nga RIGELS SELIMAN

Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi pak ditë më parë, ortakut të kryeministrit Edi Rama,  Charles McGonigal, i janë vënë dje prangat në New York (SHBA), ndërkohë që pritet t’i hapen akoma telashe në shkurt me gjyqin e Uashingtonit, ku dyshohet se është përfshirë në afera me shefin e qeverisë shqiptare dhe jovetëm. Ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, shpërtheu dje në lot, teksa u dënua me 50 muaj (4 vite e 1 muaj) burg federal për bashkëpunim me një oligark rus për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.

Përveç burgut, 55-vjeçari McGonigal, u dënua edhe me tre vjet lirim të me kusht pas burgut dhe u gjobit me 40,000 dollarë. McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, u deklarua fajtor për akuzën në gusht të këtij viti. “[McGonigal] e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione”, tha gjykatësja federale e Manhatanit Jennifer Rearden, ndërsa jepte dënimin. “Përballë asaj njohurie, zoti McGonigal vazhdoi përpara”, shtoi ajo, duke e quajtur atë një “rrezik të madh për sigurinë kombëtare”. Ironikisht, përpara se të binte në grackën për lidhjet me Rusinë, McGonigal ndihmoi byronë të hetonte lidhjet e supozuara të ish-presidentit Donald, Trump me Moskën, raportuan mediat amerikane dhe ato botërore.

Akuzat 

Ish-agjenti i FBI-së u përball me një akuzë të vetme për komplot për të pastruar para dhe për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave, i cili parashikonte një maksimum prej pesë vjet burg. “Duke marrë përgjegjësinë për veprimet e mia dhe duke reflektuar mbi situatën time, unë njoh dhimbjen dhe zhgënjimin që i kam sjellë vetes, familjes sime”, tha McGonigal gjatë një ndjese emocionale. Pas largimit të tij nga FBI në 2019, McGonigal u punësua nga një firmë ligjore që luftonte sanksionet ndaj oligarkut Deripaska.

Gjatë pranimit të fajit, McGonigal pranoi se kishte mbledhur rreth 17,500 dollarë duke ndihmuar Deripaskën duke e ndihmuar të luftonte një oligark rival. Ato para u transferuan nga një bankë ruse me seli në Qipro në një firmë në Neë Jersey në pronësi të një prej shokëve të McGonigal përpara se të mbylleshin në llogarinë e tij bankare. Prokurorët u përpoqën ta konsideronin McGonigal si të motivuar nga lakmia, duke vënë në dukje se gjatë kohës që ai punoi për Deripaska, ai kishte rreth 850,000 dollarë të ardhura, si dhe një apartament në Manhattan dhe Mercedes. Në një rast tjetër, McGonigal u padit nga prokurorët e DC-së për dyshimin se kishte fshehur marrjen e 225,000 dollarëve nga një ish-anëtar i shërbimit inteligjent të Shqipërisë. Në atë rast, ai u akuzua gjithashtu se kishte marrë pjesë në një takim sekret me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërsa ishte në FBI.

Implikimi i Ramës

Gjithashtu në shtator të këtij viti, McGonigal pranoi se kishte fshehur kontaktet e tij me zyrtarë të huaj, si dhe qindra mijëra dollarë që ai pranoi nga një ish-punonjës i agjencisë së inteligjencës shqiptare. Sa i takon çështjes shqiptare, dosje në të cilën figuron dhe kryeministri Edi Rama, ajo pritet të dërgohet për gjykim vitin e ardhshëm. Prokurorët pretenduan se ai mashtroi FBI-në duke mos zbuluar siç duhet udhëtimet e tij jashtë shtetit dhe kontaktet me shtetas të huaj, ndërsa ai ishte ende i punësuar në byro. Gjyqi i tij për rastin shqiptar është caktuar për t’u shqyrtuar në shkurt 2024. “McGonigal përballet me dënimin në fillim të vitit të ardhshëm në një çështje të veçantë të sjellë në Uashington, D.C., që e akuzoi atë për fshehjen e një pagese nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare gjatë kohës që ishte në punë”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e publikuar nga media amerikane “AbcNews”.

SHBA e sanksionoi, si i dha Rama statusin investitor strategjik oligarkut rus

Ndërkohë theksojmë se oligarku rus Oleg Deripaska, me të cilin kishte lidhje të ngushta miku i Ramës në FBI, Charls McGonigal është sanksionuar nga Departamenti i Thesarit për lidhjet dhe shërbimet ndaj Vladimir Putin. Por teksa SHBA e sanksiononte oligarkun rus Oleg Deripaska, në Shqipëri kryeministri Edi Rama e shpallte atë investitor strategjik. Në Prill të vitit 2018, Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Edi Rama, i jep statusin e “investitorit strategjik” kompanisë shqiptare “Agro Iliria Group” për ngritjen e një plantacioni frutash ekzotike, në një sipërfaqe 800 hektarë në Karavasta. Investimi parashikohet në vlerë mbi 6.6 milionë euro. Në vendimin e nënshkruar nga Rama, kompania shqiptare “Agro Iliria Group” detyrohet që të nënshkruajë kontratë me shoqërinë tjetër, “Trema Engieenering 2”, ku të përcaktohet se kjo e fundit do të kryejë investimin.  Pronari fundor i kompanisë shqiptare “Trema Engineering 2” është miliarderi rus, Oleg Depiraska, nëpërmjet shoqërisë së regjistruar në Austri, “Strabag AG”.

Kryeministri mohoi akuzat

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mohuar të ketë takuar biznesmenin rus Oleg Deripaska. Pak muaj më parë, Rama u shpreh se nuk e ka takuar kurrë Deripaskën dhe asnjë delegacion tjetër rus, as për politikë apo për biznes. Madje asokohe Rama hodhi akuza ndaj ish kryeministrit Sali Berisha duke thënë se ka qenë ai që ka pritur delegacione ruse duke negociuar për të sjellë Gazpromin në Shqipëri. ““Nuk ekziston, nuk është ndërruar kurrë. Është një licencë e marrë nga tre kompani shqiptare. Deripaska hyn në këtë ngjarje. Hetimi në Amerikë ka nisur për dyshimin se drejtori i zbulimit të FBI së që e ka pasur target atë ka hyrë në bashkëpunim me të për ta ndihmuar për të hequr sanksionet.

Çështja e Shqipërisë është dytësore në këtë histori. Deripaska na del në Shqipëri sikur lidhja qenka treshe. Kemi të bëjmë me kompanië Strabak që është kompania e ekonomisë austriake. Kompania e themeluar nga Ilir Trebicka. Këto janë çështje të brendshme të një kompanie të madhe që ka marrë punë në Shqipëri përpara dhe mbrapa. Kjo është pjesë e gjithë konglomeratëve austriakë. Kur Deripaska është vendosur në sanskione nga BE, Strabaku e ka marrë mbrapsht. Unë që prej vitit 2013 nuk kam pasur takime me asnjë delegacion rus. As për politikë dhe as për biznes. I vdekuri që kujton se është gjallë me vulën non grata për turpin tonë të përbashkët. Na doli non grata një engjëll. Ai ka pritur delegacione ruse politikë dhe ka vajtur dhe ka urdhëruar votimin kundër UÇK në Strasburg. Ka bërë edhe negociata për të sjellë Gazpromin në Shqipëri. Të gjitha këto kanë ndodhur. Mund të kisha takuar edhe unë, nuk kam takuar asnjë. Nuk kam punë unë me Oleg Deripaskën. Këta të akuzojnë se ke sjellë Deripaskën për luleshtrydhet në Divjakë ndërkohë që këta vetë kanë negociuar për të sjellë Gazpromin. Nuk e kam takuar Deripaskën”, deklaroi Rama.

“Forbes”: Pakti i errët mes Deripaska dhe ‘mikut të Ramës’ McGonigal

Kujtojmë se më herët edhe revista e njohur botërore, “Forbes”, ka publikuar një investigim të thelluar mbi raportet ndërmjet miliarderit rus, Oleg Deripaska, dhe ish-agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, ku përmenden dyshime për shantazhe dhe luftë të egër mes oligarkësh rus. Artikulli i “Forbes” nuk ka përfshirë detaje për hetimin “shqiptar” të FBI-së, megjithatë dy personazhet kryesore, në mënyrë direkte ose indirekte, lidhen me Shqipërinë dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, megjithëse: I pari, ish-agjenti i FBI-së, është konsideruar nga Rama si “mik i tij” dhe rezulton se mes tyre janë kryer disa takime informale, të cilat përkojnë me “kryerje pagesash” dhe nisje hetimesh për një lobues të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara. I dyti, Oleg Deripaska, rezulton pronari fundor i një “investitor strategjik” dhe “koncesioni” në Shqipëri, të siguruara nga qeveria e Edi Ramës, si edhe përfitues i të paktën 20 milionë eurove, të gjitha këto pasi oligarku rus ishte sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prill 2018.

Gazeta Sot