27 Gusht 2022

Dokumentet identifikuese, tema e nxehtë e gushtit në përplasjet midis Kosovës dhe Serbisë pas nisjes së zbatimit të reciprocitetit nga ana e Prishtinës, që çoi në revoltën e serbëve të Veriut, duket se janë bërë pjesë e një marrëveshje të re me “bekimin” e Bashkimit Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e  Jashtme, Josep Borrell ka njoftuar me një postim në Twitter se “sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i kërkojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”.

“Ne kemi një marrëveshje. Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i urojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, shkruan Borell në Twitter.

Praktikisht, sipas marrëveshjes së arritur të dy vendet kanë lëshuar pe duke hequr dorë nga dokumentet shtesë që ishin aplikuar prej kohësh në Serbi dhe do të lëshoheshin nga Kosova në kuadër të reciprocitetit, në rast të hyrje-daljeve.

Balkanweb