‘Me forcimin e erës rritet rreziku për…’. – Sinoptikania tregon si do jetë moti deri në 7 korrik, pse disa zona e ndjejnë më shumë të nxehtin

26 qershor 2021

Lagështia e pranishme në ajër bën që i nxehti të ndihet edhe më tepër, edhe pse sot është vënë re një ulje e temperaturave. Sinoptikania Lajda Porja tha se kjo ulje temperaturash do të vijojë edhe ditën e dielë.

Sinoptikania tha se deri më 6-7 korrik do të kemi një mot të qëndrueshëm, ndërsa nuk përjashtoi shirat lokal në zonat veriore dhe verilindore apo dhe breshër.

Ndërsa theksoi faktin se me forcimin e erës do të rritet rreziku për favorizimin e zjarreve në pyje.

“Tërheqja është graduale, por temperaturat e ajrit kanë rënë goxha në mëngjes. Në shumë zona gjatë natës ishte 30 gradë.

Dje dhe pardje u shënua 42 gradë në qarkun e Beratit. Në disa zona do të shkojë edhe 34-36 gradë celsius.

Në një pjesë të mirë të qyteteve ndihet goxha i nxehti për shkak të lagështisë së ajrit. Është ndjerë një forcim ere.

Por me fuqizimin e erës, rritet dhe rreziku i zjarreve në pyje.

Dita e diel në veriperëndim zona e Velipojës do të jetë 32-33 gradë, ndërsa Gjiri i Lalëzit do të jetë 34 gradë, dhe Vlora po ashtu. Në Sarandë dhe Ksamil do jenë deri në 36 gradë. Do të presim ulje në ditët e para të korrikut.

Reshjet do të shfaqen në zonat e izoluara, Veri-Verilindje të vendit. Nuk përjashtohet mundësia e breshrit. Deri në datën 6-7 korrik do të kemi një mot të qëndrueshëm”, tha Porja për News24.