Me mjeshtrin e gdhëndjes së drurit, zhulatasin Bejo Kërraj.-

Nga: Sejmen Gjokoli

Në mos gaboj ka qenë viti i fundit i fakultetit, aty nga pranvera e ’78-tës kur do ta prisja te stacioni i trenit në Tiranë.
Në një arkë të madhe druri, sajuar vetë në formën e një valixheje, kishte futur gjithë farë prodhimesh artistike, të gjitha në dru e të gjitha të bëra me dorën e tij në mënyrë artizanale.
Donte dhe dy vjet të mbushte 30 dhe ja ku ja behu në kryeqytet për të paraqitur punët e tij me gdhëndje në dru.
Mu desh që për dy-tri netë ti lë krevatin tim në një nga dhomat e godinës 16 të qytetit “Studenti”, kuptohet, na duhej ti vidheshim kujdestarit të konviktit për tu futur.
Në një nga ato ditë i shkuam në zyrë Fiqiri Haxhiut, një prej labëve të mirë që aso kohe merrej me punë kulture në një nga zyrat e kryeqytetit. Mbaj mend se ay na orientoi të shkonim e ti tregonim punët në një zyrë diku pranë korpusit qendror të universitetit, në krah të bibliotekës universitare.
Në atë godinë ndodhej një institucion i kulturës dhe na u desh të tregonim një e nga një të gjitha punimet e drurit që djaloshi i kishte prurë nga Zhulati.
Edhe sot i kam në sy ato thëllëza, shqiponja, dyjare, furka e verige rrushi, desh e cjep e deri te vathë me çobanë në sy të shtrungës.
Motive baritore nga më të bukurat por edhe Skënderbeu hypur mbi kalë…
I mbajtën të gjitha, mbaj mend se i dhanë një fletë fature dhe i thanë se lekët do ti dërgonin me postë në Gjirokastër.
Më vonë thuajse të gjitha ato punë do ti shikoja në një nga stendat e expozitës “Shqipëria sot” kur u hap me bujë në kryeqytet dhe vetiu më dilte përpara ajo valixhe druri e bërë me dhoga panje.
Ky ishte Bejo Kërra, djaloshi duar artë nga Zhulati, njeriu që pas “inkursionit” në kryeqytet do bënte edhe më shumë emër në fshat e në krahinë.


…Kanë kaluar mbi katër dekada nga ajo kohë. Po kaq kohë kanë kaluar pa e parë e pa mu dhënë rasti ta vizitoj këtë njeri me botë të madhe prej krijuesi popullor.
E gjeta në banesën e tij aty nën Bregun e Boçke, në lagjen e Joshe, ku rron për gati dyzet vjet.
Nuk ka luajtur nga fshati edhe pse të tjerë rrotull kanë bërë poshtë Gjirokastre e tutje botës.
I rrethuar me punët e tij të drunjta me aq shumë mjeshtëri e sqimë të pret me një filxhan rakie përpara.
Thëllëzat si at’herë por edhe shqiponjat në fluturim rrinë varur faqeve të dhomës së miqve. Sikur edhe ato qënie të të drurodura të thonë “miserdhe”.
Do vetëm dy muaj të mbushë shtatë dekada jete, më saktë në ditën e nëntë të Janarit, dhe duket se ky fakt e shtyn për të na treguar pa u lodhur diçka nga rrugëtimi i tij prej artisti i mbuluar tërë jetës me një tis heshtjeje.
Botë më vehte bota krijuese e këtij njeriu.
Me rrënjë nga Golëmi e i ardhur vetëm një vjeç nga Vergoi ku nëna e baba e lindën pasi kishin lënë një herë e përgjithëmonë fshatin e të parëve në Kurvelesh.
U vendosën në Hon, rrëzë shkëmbit të Piriut, aty ku edhe të tjera fise nga Zhulati do të nisnin jetën qindra vite shkuar.
Atje Kërrajt, po atje Binerajt, Memushajt, Gjokajt po edhe nga Pulajt më parë.
Atje në Hon ndodhet ende varri i gjyshes së Nexhip Alpanit (Pulaj), një nga personalitetet e kulturës turke të shekullit të kaluar.
Këtu e nisi edhe Bejo Kërra rrugën e bukur të krijimit, në fillim si gjithë fëmijët me currubaba e bilbila lofate.
I jati, Kalemi, bënte cyla, longarë, lugë e çibuqe por e la vetëm gjashtë vjeç kur la vendin e zuri Kanadanë.
Bejos së vogël siç duket i la genin e trashëgimisë por bashkë me të edhe kalvarin që do shoqëronte familjen gjatë gjithë gjalljes së sistemit të shkuar.
Bejua kujton se edhe kur venin “të mëdhenjtë” e zgjidhnin ndonjë nga punët për dhurata, autori asnjë herë nuk përmendej.


Si kundër nuk përmendej edhe kur mjaft nga objektet do të expozoheshin nëpër expozita e panaire.
Si duket prej at’here ka filluar ta shkruaj emrin me majë të biçakut në çdo pori që bën.
Na thotë se deri në Shkodër kanë vajtur punimet e tij në dru, pa folur për Gjirokastrën, Sarandën e Tiranën.
Në më shumë se gjysëm shekulli krijimtari ka realizuar një inventar me dhjetra e qindra punime, të tëra në dru, të gjitha me majë thikash e biçeqesh çobani.
I pa krahasueshëm po dhe i pa konkurueshëm në lloin e vet. Sidomos në disa prej punimeve që i ka më për zemër.
Rrallë kam parë punë kaq të imta e kaq shumë në detaje në gdhëndje druri.
Me piks e me panjë kryesisht.
Po, Bejo Kërra është edhe një instrumentist popullor i dorës së parë.
Edhe i prodhon edhe u bie vetë cylave e longarëve, si rrallë të tjerë në Labëri.
Murat Kërra, nipi i tij me shtëpi pak metra më poshtë, duket se i ka ngjarë me të tëra.
Si trashëgimi nga gjysh Kalemi por edhe xhaxha Bejua.
Bejo Kërra, njeriu që një jetë të tërë me duart e tij ka bërë drurin të “këndojë” e të “flasë” me gojë.
Tani atje në Zhulat, mes bukurisë, hieshisë e fuqisë së artit të tij popullor pret të festojë 70 vjetorin e lindjes…

Gdhendje Druri Bejo Kerraj nga Zhulati (6)


Në fakt të tjerë duhet të mendojnë për ta organizuar sebepin e tij.
Shoqëria ka nevojë për të parë e prekur mrekullinë e tij krijuese përmes aktivitetesh e kremtimeve institucionale.
Po edhe vlerësime të larta për krijimtarinë e tij të pa vdekshme.