Më pak financime për fermerët, shkurtohen me 9% fondet e bujqësisë. – Bashkimi i Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD për shkak të aferave korruptive
2 Nentor 2023
Me pak financime për fermerët 2024, sektori i bujqësisë do të marrë së paku 9% më pak financime se plani i këtij viti i finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2023.
Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që janë këtë vit (shiko tabelën bashkëngjitur).
Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë nga 10 miliardë lekë këtë vit me një ulje 28% ose rreth 25 milionë euro.
Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që edhe Bashkimi i Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD për shkak të aferave korruptive që ka gjetur me ndarjen e fondeve në vendin tonë.
Në të kundërt fondet për planifikimin dhe menaxhimin janë rritur me 22 % dhe ato për sigurinë ushqimore me 36 %
Në një kohë që qeveria ka ulur financimin për bujqësinë pret që sektori të ketë rritje me 2.8 për qind dhe punësimi të rritet me tej gjatë dy viteve në vijim.
Fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme, Ministria e Bujqësisë pret të rrisë numrin e të punësuarve në këtë sektor 568 000 të punësuar në vitin 2026, nga 565,954. Shumica e të punësuarve në sektor janë pa pagë pasi vetën 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.
Shqipëria financoi mesatarisht më 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021. Sipas një krahasimi të Bankës Botërore, ky është niveli më i ulët në Rajon dhe në BE (shiko grafikun bashkëngjitur)./Monitor