Më pak pushues të huaj në jug, turistët “ngecin” në Tiranë
10 Korrik 2024
Turistë po vijnë, por “bumi” i pushuesve të huaj nuk po përfshin edhe jugun e vendit. Muajin e shkuar në vend hynë 1.2 milionë të huaj, 200 mijë më tepër se një vit më parë, por një pjesë e mirë e tyre qëndruan vetëm në Tiranë.
“Këtë vit, turistët e huaj po vijnë kryesisht për 3-4 ditë dhe nuk ju del koha për të shkuar edhe në jug për shkak edhe të problemeve me transportin. Gjithashtu edhe rritja e çmimeve në jug ka bërë që shumë të qëndrojnë në Tiranë ose në Durrës dhe qytetet përreth”, tha Fjorida Zani, operatore turistike.
“Edhe turistët e huaj i ndiejnë çmimet e larta. Çmimet e akomodimit dhe gastronomisë këtë vit luhaten nga mesatare në të larta. Mesatarisht me vjet janë shtrenjtuar me 30 për qind”, tha Lejla Peqini, operatore turistike.
Ndryshe nga një vit më parë teksa kapacitetet ishin thuajse të ezauruara, këtë verë në platformat AirBNB dhe Booking mund të gjesh lehtë apartamente me qira ditore ose dhomë në hotele në thuajse gjithë jugun e vendit.
“Tirana ofron më shumë lehtësi dhe çmime më të ulëta si në akomodim ashtu edhe në gastronomi. Them se këtë muaj panorama do ndryshojë”, u shpreh Zani.
“Deri tani kemi pasur më shumë turistë me çanta mbi shpinë. ata nuk janë për plazh, por për kuriozitet. Shifrat e turistëve them se janë reale, po aq sa perceptimi se në jug nuk ka shumë pushues”, tha Peqini.
Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se deri në qershor, në vend hynë 4.5 milionë të huaj, Në raport me një vit më parë, shifrat janë zgjeruar me 1.1 milionë apo 32.4 për qind.
Gazeta Dita