Më shumë se 100 të infektuar nga koronavirusi në Itali
Më shumë se 100 të infektuar nga koronavirusi në Itali
23 SHKURT 2020
Në Itali, numri i njerëzve të prekur nga koronavirusi Covid-19 e ka tejkaluar shifrën 100, ku vetëm 44 raste u konfirmuan sot, sipas autoriteteve lokale (via CNN). Pjesa më e madhe e të prekurve ndodhen në rajonet veriore të Lombardisë (ku ka 89 raste), Veneto, Emilia Romagna dhe Piemonte.
Situata kaotike i detyroi autoritetet vendase të mbyllin shkollat, bizneset dhe restorantet si edhe të anulonin ngjarje sportive dhe shërbimet fetare. Kryetari i Bashkisë së Milanos, kryeqendra e rajonit të Lombardisë, mbylli zyrat publike.
Një burrë 78-vjeçar ndërroi jetë nga koronavirusi Covid-19 në Veneto. Më pas, një grua 77-vjeçare, e cila rezultoi e prekur nga virusi, gjithashtu ndërroi jetë. Është ende e paqartë nëse ishin vërtet simptomat e virusit që shkaktuan vdekjen e zonjës. Deri në këto momente (e diel, 23 shkurt), këto janë dy viktimat e konfirmuara.
Qindra banorë që kishin pasur kontakt me njerëzit e infektuar me virus u izoluan në pritje të rezultateve të testeve. Ekuipazhet e mbrojtjes civile krijuan një kamp jashtë një spitali në Veneto për të ekzaminuar stafin mjekësor.
Zyrtarë të Veneto-s thanë të shtunën se transmetimi i virusit është njësoj siç transmetohet gripi, ndaj përpjekja për të gjurmuar këdo që vinte nga Kina nuk ishte masa më efektive e kontrollit, pasi mund të infektohesh nga kushdo.