![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2023/01/800-0-ff06d17a11c6321ee6c369b30b1f2662.jpg?fit=800%2C476&ssl=1)
Me temperatura deri në -53 gradë celsius, ky vend përfshihet nga i ftohti rekord
24 Janar 2023
Një qytet në ekstremin verior të Kinës ka regjistruar temperaturën më të ulët në historinë e tij. Bëhet fjalë për qytetin Mohe, i njohur ndryshe edhe si “Poli Verior” i vendit aziatik, i cili ndodhet pranë zonës kufitare me Rusinë.
Të dielën, stacioni meteorologjik vendas regjistroi temperaturën më të ulët, minus 53 gradë Celsius, që theu lehtshëm rekordin e mëparshëm prej minus 52.3 gradë, i regjistruar në 1969-n.
Megjithatë, niveli në fjalë nuk është i pari në serinë e rekordeve kombëtare të Kinës. Temperatura më e ulët e regjistruar ndonjëherë në këtë shtet është minus 58 gradë, në qytetin Genhe, në dhjetor të 2009-s.
Moti i ftohtë nuk përbën risi për qytetin Mohe. E përditshmja “China Daily” thotë se lokaliteti konsiderohet si më i ftohti në Kinë dhe se periudha e dimrit atje zakonisht zgjat 8 muaj.
Rrjedhimisht, ai është kthyer në një atraksion turistik me parqet me dëborë dhe pistat për ski. Vitin e kaluar atje u mbajt edhe një maratonë dimërore.
Në javët e fundit, autoritetet meteorologjike kineze paralajmëruan uljen e temperaturave dhe intensifikimin e erërave të forta në rajon.