Media gjermane: – Varhelyi, njeriu i Orbanit në Bruksel, ndjek axhendën e Kryeministrit mik me Putinin
Komisioneri hungarez për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, duhet të përfaqësojë në fakt politikën e Brukselit, por ai ndjek agjendën e kryeministrit hungarez Viktor Orban për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, njihet në të gjithë Evropën për qëndrimin e tij të hapur miqësor ndaj Putinit. Por ka edhe një fushë në të cilën Orbani vepron pothuajse pa u vënë re: zgjerimi i BE-së dhe politika e fqinjësisë.
Sektori përgjegjës për zgjerimin e BE-së dhe politikën e fqinjësisë, një nga më të rëndësishmit në Komisionin e BE-së, ju besua në vitin 2019 Hungarisë.
Ai drejtohet nga Oliver Varhelyi. Juristi dhe diplomati 50-vjeçar është i besuar i vjetër i Orbanit dhe prezantohet para botës së jashtme si një komisioner besnik i BE-së. Por në fakt ai vepron si përmbushës i ideve të Orbanit për zgjerimin e BE-së dhe politikën e fqinjësisë.
Lojërat strategjike të Orbanit
Deri tani kjo politikë zgjerimi e Orbanit dhe të besuarit të tij Varhelyi nuk përbënte ndonjë çështje me rëndësi për publikun e gjerë evropian, sepse realizimi i skenarit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor vitet e fundit po bëhej gjithnjë e më i largët. Prandaj lojërat strategjike të Orbanit dhe qëndrimet e komisionerit Oliver Varhelyi në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk përbënin ndonjë një shqetësim i madh. Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë kjo mund të ndryshojë.
Kremlini ndjek prej kohësh një politikë destruktive dhe destabilizuese në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Frika nga një përshkallëzim i dhunshëm në rajon e ka shtyrë BE-në dhe mbi të gjitha diplomacinë gjermane ta kthejnë vëmendjen e tyre drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministrat gjermanë Annalena Baerbock dhe Christine Lambrecht ishin tashmë për vizitë në rajon dhe këtë javë aty do të jetë edhe kancelari Olaf Scholz.
Ideja është që të parandalohet largimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nga BE-ja me më shumë vëmendje, me bashkëpunim të ri, mbështetje për politikat reale reformuese dhe përfaqësuesit e tyre si dhe me nisma kundër nacionalizmit dhe separatizmit. Dhe me qëndrime të tilla diplomacia gjermane po shkon drejt një konfrontimi me politikën e Orbanit për Ballkanin Perëndimor si dhe me veprimet dhe qëndrimet e të besuarit të tij Oliver Varhelyi.
Lavde për liderët autoritarë
Nga Komisioneri i BE-së për Zgjerimin nuk është dëgjuar asnjë kritikë për mungesën e reformave në rajon.
Përkundrazi, Varhelyi i vlerëson liderët autoritarë si Vuçiçi apo kolegu i tij malazez, Milo Gjukanoviç, për politikat e tyre kinse të suksesshme të integrimit në BE. Nganjëherë Komisioneri për Zgjerimin vepron si një lobist për liderët autoritarë të Ballkanit Perëndimor.
Një punonjës i BE-së i afërt me Varhelyi, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë për DW se sidomos kritikat ndaj Serbisë janë zbutur në mënyrë sistematike vitet e fundit nga Komisioneri i Zgjerimit dhe kabineti i tij. Fjala është për të ashtuquajturat raporte për progresin që përgatiten rregullisht në Bruksel për kandidatët për anëtarësim. “Deklaratat kritike, për shembull për lirinë e mediave në Serbi, janë hequr nga raportet tona dhe vlerësimet e këqija janë ndryshuar në më të mira”, thotë zyrtari i BE-së.
Në përgjithësi fokusi është zhvendosur nga kriteret politike si sundimi i ligjit drejt çështjeve të tilla si politika e investimeve. Në vend që të shqyrtohet, se cilat reforma janë zbatuar në të vërtetë, kabineti i Varhelyi përmend vazhdimisht vetëm se çfarë kishin arritur zyrtarisht dhe legjislativisht kandidatët për anëtarësim. “Prandaj mund të thuhet me siguri se Komisioneri i Zgjerimit është krahu i zgjatur i Orbanit në Komisionin e BE-së”, thotë zyrtari i BE-së.
Edhe Viola von Cramon, deputete e partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian, shpreh kritika të ngjashme ndaj Komisionerit të Zgjerimit: “Varhelyi krijon haptazi afërsi me ata aktorë në Ballkanin Perëndimor që nuk janë demokratë, por që i duhen Orbanit për politikën e tij,” thotë ajo për DW.
Eurodeputetja Viola von Cramon ishte bashkënismëtare e një letre proteste që i drejtuan në fillim të vitit 30 eurodeputetë Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në të ata kërkuan një hetim të brendshëm të BE-së mbi veprimtarinë e Varhelyi. Arsyeja për këtë ishte qëndrimi i diskutueshëm individual i Varhelyit ndaj liderit politik të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, anëtar i presidencës shtetërore boshnjake prej tre anëtarësh. Dodiku e vë prej vitesh në pikëpyetje ekzistencën e shtetit boshnjak dhe kërcënon vazhdimisht me shkëputjen e Republika Srpska. Me sa duket Varhelyi ka bërë me Dodikun në fund të vitit të kaluar një marrëveshje në lidhje me kohën e nismave separatiste të serbëve të Bosnjës.
Asnjë reagim nga Ursula von der Leyen
Por protestat e eurodeputetëve u shuan, sepse Ursula von der Leyen nuk iu përgjigj letrës. “Pa mbështetjen e Orbanit ajo nuk do të ishte bërë Presidente e Komisionit”, thotë Viola von Cramon. “Kjo është ndoshta arsyeja pse ajo përdor shmangien si strategji për të zgjidhur problemet. Unë sidoqoftë mendoj se portofoli i zgjerimit nuk duhet t’i ishte dhënë kurrë Orbanit.” – thotë deputetja e partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian.
Kryeministri i Hungarisë nga tjetër nuk lë asnjë pikë dyshimi se dëshiron të luajë një rol kyç në formësimin e politikës së zgjerimit të BE-së në të ardhmen – ose në rast nevoje madje ta bllokojë atë. “Berlini dhe Brukseli nuk mund të ndjekin ndaj Ballkanit një politikë kundër hungarezëve”, tha ai në një fjalim programor në mes të muajit shkurtit. “Ne nuk pranojmë asnjë vendim të Brukselit që është në kundërshtim me interesat e Hungarisë.”