Mediat e shitura tallen me ne, por edhe ne çamët jemi shqiptarë si ju…

  • Sot, një pjesë e politikës, tregon vasalitet të vazhdueshëm ndaj Greqisë hesht.

 

Nga Shpëtim Idrizi

Sot, skenari i blerjes së një pjese të mediave dhe opinionistëve nga ana e shtetit grek po zbardhet nga vetë mediat greke.

Ajo që ne lajmëruam disa muaj më parë po del para syve të shqiptarëve.

1 milionë euro fonde të zeza vetëm për muajin e fundit, me të cilat shteti fqinj ka blerë media e portale shqiptare duke i paraqitur tezat progreke si mendime të paanshme.

Qëllimi i këtyre fondeve ishte të vazhdojë të dëmtojë moralisht çështjet tona kombëtare, të manipulojë marrëveshjen e detit, të varrosë Çështjen Çame e të vazhdojë diskriminimin ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Tani, besoj se është e qartë që kemi thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, kur ju paralajmëruam për aktet e dënueshme, për blerjen e një pjese të mediave shqiptare e ku disa individë, gjoja të paanshëm, vazhdonin të mbillnin urrejtje e armiqësi për shqiptarët e Çamërisë.

Ishim të qartë, kur ju shpjeguam se si në zgjedhjet e fundit egzekutoheshin mandatet e PDIU-së, që në Parlamentin e Shqipërisë të mungonte faktori politik çam, megjithëse u votuam nga 76 mijë shqiptarë me një qëllim të vetëm: “Çamëria mos të ekzistojë!”.

Sot, Athina i ka duart fort brenda në politikën shqiptare.

Kur kemi folur për idiotët e dobishëm të Athinës, e kishim  fjalën për ata të shitur që me pagesë apo pa pagesë jane bërë vasalë të Athines dhe kanë frikë për pushtetin e tyre.

Sa e sa herë Athina zyrtare ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe na ka kërcënuar në rrugën tonë drejt BE-së, kurse asnjë nga qeveritarët tanë nuk flet e një pjesë e mediave hesht…

Sa e sa gazetarë e media kanë stigmatizuar me racizëm komunitetin çam, jo në kohën e komunizmit, por sot.

Kur ne rrihemi, vidhemi, stigmatizohemi se kërkojmë të drejtën tonë, një pjese e mediave tallet e i shërben me zell  relativizimit të Çështjes Çame.

Ne ngrejmë zërin për marrëveshtjen e toponimeve, ku 700 pleq çam detyrohen të ndërrojnë vendlindjet, prapë heshtje.

Ne ngrejmë zërin për ligjin e minoriteteve, ku Shqipëria u bë me 9 minoritete e zonat minoritare greke zgjerohen nga Finiqi e Dropulli ne Himarë e kudo, prapë heshtje.

Ne ngrejmë zërin, kur ndërtohen Varrezat e ushtarëve grekë për turpin tonë e asnje s’flet…, se është humane thonë e shkruajnë.

Po një varrezë për mijëra shqiptarë të Çamërisë nuk është humane?

Kur ne ngrejmë zërin e alarmin për Marrëveshjen e Detit dhe Greqia deklaron qe do zgjerohemi nga 6 deri në 12 milje, dhe Presideni deklaron që pa bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të vazhdojmë me këtë marëveshje, e prapë asnjë nuk flet, megjithëse se indiciet për këtë marrëveshje janë alarmante…

Kur ne kërkojmë përkrahje për një nga tragjeditë dhe padrejtësitë më të mëdha dha qe i është bërë kombit shqiptar, Çështjen e Genocidit të Shqiptarëve të Çamërisë, disa heshtin e stigmatizojnë.

Po, është për turp o të shitur, se jemi shqiptarë po si ju!
Kur ne denonconim dje në Parlament e sot çdo ditë aktivitetet antikushtetuese për Vorio Epirin, ku dalin deputetë e funksionarë të lartë grekë me flamurin e Zografit, asnjë nuk flet e asnjë nuk vepron.

Pse ku jemi ku po shkojmë?

Sot, një pjesë e politikës, tregon vasalitet të vazhdueshëm ndaj Greqisë hesht.

Një pjesë e mediave hesht dhe është e blerë.

Prandaj, jemi në një emergjencë kombëtare, ku rëndojnë akuzat për Tradhëti Kombëtare.

Në këto kushte:

I kërkojmë Presidentit të Republikës të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Të vërë në lëvizje të gjitha agjensitë ligj zbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë, ata që kanë marrë para. Të deklarohen shumat e qëllimet, sepse vetëm në një muaj bëhet fjalë për 1 milion…

Po me vite sa është kjo shumë?

I bëj sot thirrje Presidentit të Republikës të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombetare e të kërkojë informacionet e nevojshme për të kuptuar sasinë e vërtetë të fondeve të zeza-sekrete të dhëna nga Ministria e Jashtme greke, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimet Sekrete Greke dhe  qëllimin dhe ndikimin real që kanë patur këto fonde në manipulimin e opinionit publik dhe vendimarrjen e shtetarëve shqiptarë.

Ritheksoj që janë 1 milion euro vetëm për një muaj, e asnjëherë nuk do kuptojmë sasinë e vërtetë të fondeve të paligjshme të derdhura në vend, nëse nuk shtrohet si një prioritet për sigurinë kombëtare.
I kerkojmë urgjentisht Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë, cilat janë portalet, gazetat, televizionet, gazetarët, biznesmenët, OJQ-të që janë financuar nga Fondet e Zeza sekrete të Ministrisë së Jashtme Greke, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Inteligjent Grek.

Ku u investuan këto para?

Me çfarë qëllimesh?

Cilat ishin qëndrimet e mbajtura prej këtyre mediave?

Cilët persona u implikuan personalisht në këtë operacion?

Ç’po bën Prokuroria e Përgjithshme, kur dje prokurorët e Athinës kanë nisur hetimet për nxjerrje të sekretit shtetëror?

Ç’po bën kryeministri i Shqipërisë, kur dje kryeministri grek del të përgenjeshtrojë e të kërcenojë me nxjerrje të sekretit shtetëror?

Për sa kohe autoritetet e Tiranës dhe idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë do të heshtin për këtë skandal të përmasave kombetare?

Me këtë rast e ftojmë ministrin Bushati të vazhdojë të përshëndesë bashkëpunimin e turpshëm me homologun Kotzias  të investuar direkt me fonde sekrete në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë.

Ne shqiptarët e Çamërisë falenderojmë e u jemi mirënjohës mediave patriote shqiptare që kanë vënë alarmin.

Ne shqiptarët e Çamërisë nuk harrojmë dhe miqtë dhe armiqtë tanë. E gjitha është çështje kohe…