Nga Gazeta Dita.

2 Tetor 2022

Mediat shtetërore iraniane kanë qarkulluar lajme mbi kapacitetet goditëse të dronëve iranianë duke vendosur si objektiv eventual kampin e Manzës në Durrës ku strehohen muxhahedinët e MEK.

“Kapacitetet e dronëve dhe raketave iraniane nuk kufizohen në zonat gjeografike fqinjë; ato gëzojnë kaq shumë kapacitete në sektorin ajroro, veçanërisht në atë të dronëve saqë është e kollajtë të godasësh bazën e MKO në Shqipëri”, citohen mediat iraniane.

Mediat shtojnë se deklarimet e ardhura për kapacitetet ajrore të dronëve iranianë pasojnë komentet zyrtare, sipas të cilave trazirat e fundit në Iran janë organizim i MEK.

Sipas mediave në fjalë, ligji ndërkombëtar justifikon goditjen kur një grup terrorist kërcënon qartazi sigurinë e një vendi tjetër dhe pranon hapur përgjegjësinë. Precdenti është i qartë: Ndërhyrja e ShBA në Afganistan.

Sulmet me dronë p.sh mbeten të anonimizuara dhe pamundësojnë p.sh aktivizimin e nenit 5 të NATO-s që sugjeron veprim në rast sulmi ndaj një vendi anëtar.