Mëndafshi, ndjeshmëria e artit të Violeta Kongos. –

NGA: SUZANA VARVARICA KUKA

Violeta Kongo, në Konferencën Ndërkombëtare “Vlera e të qenit grua në shek. XXI”, iniciuar dhe drejtuar nga Flora Nikolla, zhvilluar në mesin e këtij prilli, ishte një nga gratë e suksesshme në fushën e gazetarisë dhe të artit. Ajo solli në mjedisin e konferencës, përmes veprave të veta në pikturë, ndjesitë e saj të ngjyrave të hedhura mbi telajo dhe mëndafshin e butë.

Zonja Kongo ishte e ftuar speciale dhe përmes mendimeve në publik i dha hapësirës së konferencës kënaqësinë e shijimit të ngjyrave, duke e vendosur krijimtarinë artistike në një vend të veçantë, bashkëpunuese në përmirësimin e jetës njerëzore, në krah të mjekeve të njohura, menaxhereve dhe administratoreve të suksesshme në të gjitha fushat e jetës shqiptare, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, në diasporë e në vendet ku kanë emigruar. Në këtë konferencë u dëgjuan shumë përvoja e disa prej tyre të jashtëzakonshme.

Një prej tyre është përvoja e re thuajse 10-vjeçare e Violeta Kongos, e cila nga profesioni i gazetarisë e ka shndërruar jetën e saj, duku iu drejtuar artit, i cili në krijimtarinë e Violetës ndahet në dy procese: në pikturën në vaj dhe në prodhimin artistik të mëndafshit të pikturuar, teknikë e cila e kthen mëndafshin në objekt utilitar elitar. Violeta Kongon, shumëkush e njeh si gazetaren e radiotelevizionit, e cila me zërin e saj kumbues e të ngrohtë na përfshinte në botën e informacioneve të të gjitha fushave.

Në vitet ’60 e deri ’90 punoi në profesionin e folëses, redaktores dhe drejtueses së shumë emisioneve në Radio Televizionin Shqiptar. Puna plot pasion dhe vullneti për të përqafuar profesionin e bëri një nga gazetaret me të njohura të mediave televizive dhe radiofonike në vendin tonë. Në moshë të re, krahas dhe në mjediset televizive, punoi si redaktore dhe drejtuese e konkurseve të të rinjve gjimnazistë, të cilët shumë nga ne i ndiqnim me kërshërinë për dije. Më pas në kohë, në fund të viteve ’80 u emërua Drejtore, dhe artistë të skenës së “Teatrit Kombëtar të Kukullave” e njohin Violetën si drejtuese, organizatore dhe administratore të zonjën, profesioniste dhe të respektuar në mesin e punonjësve që ajo drejtoi. Violeta Kongo fitoi rreth vetes dhe punës së saj, respektin e punonjësve aktorë e artistë. Zonja Kongo nuk u ndal asnjë çast dhe punën e vazhdoi si pedagoge në Universitetin e Tiranës.

Në kapërcyell të ndërrimit të viteve ’90, të gjithë ne që jetuam në dy periudhat, mund ta tregojmë jetën si në përrallë, e cila në vetëdijen tonë herë qëndron e heshtur e herë merr flakë, herë është gri e herë mbushet me ngjyra e fjalë. Violeta Kongo në këtë trysni ndryshimesh, të cilat prekën jo vetëm politikën, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, por edhe familjet e gjithsecilit shqiptar, e gjeti veten para telajove të pikturës, duke bashkëbiseduar me dhuntinë që flinte në botën e saj të brendshme. E mbyllur në rifuxhion e vet, me bishtat e cigareve në tavllën e duhanit dhe me penela në dorë, ajo formoi në figura me qindra ndjesi, mijëra ngjyra e vija, formoi buxhetin e madh të pikturave në vaj, ku pasqyroi kompozime nga më të ndryshmet, por që lidhen me mjedisin e saj të ngushtë, me veten e saj, me familjen, me të qenurit nënë, me qytetin dhe me pamjen jashtë studios se vet, që e quan me shumë inspirim “Rifuxhio ime”. Ajo e gjeti veten, si shumë zonja të tjera, të ngërthyer në jetën e panjohur që po sillnin vitet e pas ’90-s dhe iu dha me mish e me shpirt shpëtimit dhe lundrimit të vet në botën e arteve pamore.

Ajo vendosi ta bëjë ndryshimin e madh të mbijetesës, duke biseduar mbi dyshimin dhe frikën mbi bijtë e saj të emigruar në toka të tjera, duke u shprehur fillikat me fjalë vaji, si dhe së fundi duke aktivizuar pikturën, hobin e saj të fjetur, që nga koha e rinisë. Zonja Kongo ia doli me sukses. Violeta Kongo as nuk qau, as nuk bërtiti, as nuk e kërkoi shpresën e shpëtimit dërmues të viteve ’90 te mbyllja apo trishtimi. I madh e i vogël e pritën me dëshirë demokratizimin e vendit dhe politikës, por si Violeta, unë, ne, ju dhe ata mbartëm në vijim edhe negativitet e saj. E shkuara e Violeta Kongos, e tashmja e saj në botën e një pikture cilësore naive në konceptin modern të zhvillimit të sistemit të artit europian e botëror të shek. XX, si dhe autodidakte, është shembulli i gruas shqiptare në shek. XXI, që arrin të falë punë, mendim, studim, art të kultivuar me inteligjencë, kulturë, miqësi dhe qetësi.

Vetitë e Violeta Kongos për t’iu afruar pikturës ishin më shumë se një vullnet i lindur. Ishin një domosdoshmëri shprehjeje, një aktivizim shpërthimi në një çast shpëtimi shpirtëror. Në një mënyrë kjo i bën disa piktura të Violetës të marrin formën e ikonës së mrekullueshme, si në punimet në vaj ashtu edhe në mëndafsh. Pikturat në mëndafsh vijnë e konkretizohen nga një proces i mirëmenduar teknikisht, por artistikisht ato sendërzojnë fantazinë dhe imagjinatën e artistes në një proces ndjesor të caktuar. E më pas, gjatë modelimit të ngjyrës akuarele dhe tharjes së cohës së butë e intime ajo bisedon me çudinë e imazhit të krijuar.

Pikturat mbi mëndafsh me përmbajtje portrete të gruas janë vepra të strukturuara mirë, me kah modern në figurë, me qenësi figurative të theksuar dhe të mirëfillta artistike, sepse janë unikale, pra, të vetme. E kjo iu jep të drejtën të lundrojnë në mes përpunimit artistik me duar dhe të artit të mirëfilltë. Shpesh, portretet, si në pikturë ashtu dhe në mëndafsh, janë sugjestionues dhe asnjëherë nuk duhet të harrojmë se janë shpërthime prej brendësisë, që pasurohen më pas nga elemente natyrore, që çdo artist i gjen në mjediset që na rrethojnë në jetën e përditshme. Nëse piktura në vaj ndjehet si një shtresë e fortë e ngjeshur, me kontraste të ndërsjella, me informacion, sa gjeometrik dhe linear, pikturat e mëndafshta janë delikatesa dhe bukuria femërore, janë lundrimi i ngjyrave mbi valët e mëndafshit, që rrëshqet me paqe mbi trupin njerëzor e që shkakton kënaqësi dhe emocione të pafund.

Violeta ka mundësinë e meditimit dhe të fjalës dhe ajo shkruan se: “Të udhëtosh me pikturën do të thotë, për mua, të përjetosh një mori të pafund emocionesh, të jetosh me gëzimin dhe ankthin për t’u takuar dhe lidhur me diçka hyjnore, që lëviz mes frikës dhe guximit, duke përqafuar të panjohurën dhe duke respektuar intuitën. Ajo është një rrugëtim drejt një bote ku çdo gjë është e mundur… Në këtë rrugëtim, jeta ime ka rifituar rregullin e vet”. “Rregullin e vet”, mendon Violeta. Por a nuk ishin dhe postimpresionistët të thekshëm për të vendosur një rregull në artin pamor? Historia e artit na e mëson këtë. Violeta Kongo na e shpreh edhe më fort në shek. XXI në Konferencën Ndërkombëtare të gruas shqiptare të suksesshme, në të cilën Flora Nikolla cilësoi se: “Dialogu i Violeta Kongos me mëndafshin ka fituar fronin e artë”.