Nga: Xhemal Meçi
RITET ORIGJINALE TË DASMËS NË FSHATIN PUKË E RRETHINËN E QYTETIT PUKË

“Dasma, – shprehej Autorja, Nazife Ramadani-: ishte rituali, ku binte lodra dhe kërcehej vallja, ku nuk mungonin asnjëherë lojërat popullore dhe zbatoheshin me përpikëri ritualet e ndryshme të rrënjosura në shekuj. Pikërisht në këtë mjedis, u linda, u shkollova, u rrita, jetova e punova edhe unë, tani muzikante në QKFP (Qendra Kulturore e Fëmijëve Pukë).
Dasma si një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e njeriut jam përpjekur që ta përshkruaj sa më qartë, konkrete e thjesht këtë ngjarje, me qëllim që brezat e ardhshëm t’i njohin e t’ i ruajnë traditat e mira të popullit tonë. Në sajë të përvojës dhe pasionit, i hyra këtij punimi për traditën e dasmës pukase ( fshatrat Pukë, Zezë dhe Lajthizë). Për ta paraqitur këtë material sa më cilësor, përveç njohurive dhe përvojës sime, studiova e u konsultova me materiale të ndryshme të fushës popullore folklorike, që kanë qenë dhe mbeten pasioni i jetës sime, që më ka shoqëruar që në fëmijëri, në rini dhe sot, të mëkuara qysh herët në odat e thjeshta malësore, ku këndohej dhe dëgjohej kënga folklorike epike dhe lirike, në mjediset etnografike të kohës.
Materiali studimor, siç e shihni në botimin tim të parë, është i ndarë në tri pjesë:
Në pjesën e parë janë përshkruar veshjet popullore të këtij mjedisi, të cilat, si të themi, janë “yndyra” e dasmës, që si kyesore për nusën kanë veshjen kabashishte;
Çka bie në sy vazhdimisht dhe janë të pranishme në dasmat tona, paraqitur në këtë botim, janë veglat muzikore popullore të kësaj zone;
Pjesa e tretë e punimit është paraqitja me hollësi e traditës së zhvillimit të dasmës si te dhëndri dhe te nusja.
Për ta bërë më të kuptueshëm e praktike, pothuajse të gjithë elementët e veshjes dhe veglat muzikore, në librin e sapobotuar, janë ilustruar me foto si dhe me tekste këngësh, tek ne.

1. Kushtet historiko-shoqërore e gjeografike
Krahina e Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore. Kufizohet: nga veriu me Hasin e Kukësin; nga jugu e juglindja me Mirditën; nga jugperëndimi me Lezhën dhe në perëndim me Shkodrën. Brenda këtyre kufijve mbizotëron një reliev mjaft i thyer malor me lartësi mesatare 787 m mbi nivelin e detit. Krahina e Pukës ka qenë e banuar që në lashtësi nga ilirët dhe pasardhësit e tyre, arbërit e Delmacës. Banorët më të hershëm të Pukës nga e kanë prejardhjen pukasit ka qenë fisi ilir i PIRUSTËVE.

2.  Puka si krahinë etnografike
Si çdo krahinë tjetër etnografike e vendit tonë, edhe krahina etnografike e Pukës u formua në kushte të caktuara historike, hapësinore e kohore, brenda të cilave pati dallime e ndërlidhje krahinore e ndërkrahinore.
Uniteti etnografik i Pukës është i shprehur në veshjet tradicionale, ndërtimet e banesave, në krijimet letrare gojore e muzikore, në vallet, doket e në mënyrën e jetesës dhe në të folmen e përbashkët të Pukës.
Nga pikëpamja kostumologjike, Puka ndahet në tri rrethina kostumologjike, përkatësisht: Vesha Pukore, (pellgu i Gominës, gratë katolike), Kabashisht( gratë myslimane të fshatrave të Pukës) dhe Pultake (Brigjet e Drinit) dhe vesha e grave të Komanit.

I.  VESHJET POPULLORE
1.Veshjet dhe evoluimi i tyre
Në fund të shek. XIX dhe XX këtu janë prodhuar dhe veshur këto kostume popullore si për gra dhe për burra. Veshjet e përditshme dhe ato të punës dolën shpejt nga përdorimi, ndërsa ato ceremoniale, të cilat bartin vlera artistike, u ruajtën për një kohë më të gjatë, u bënë pjesë e pandarë e pajës së nuses.
Relievi malor klima e ashpër, zhvillimi i bujqësisë dhe i blegtorisë bënë që pjesët kryesore të veshjeve të jenë prej leshi. Kjo edhe për arsye se lënda e parë gjendej më lehtë në mjedisin ekzistues dhe kishte një kosto më të ulët.

A. VESHA E GRAVE
Vesha e grave të këtij grupimi bën pjesë në tipin e veshes me pështjellëse. Çdo pjesë e veçantë e kësaj veshjeje është e punuar prej leshi. Ndër elementët më të vjetër të kësaj veshjeje është këmisha prej lini e më vonë prej bezeje. Këmisha ka kaluar disa faza zhvillimi, që kanë pasuar njëra-tjetrën dhe që kanë bashkëjetuar. Forma më e vjetër është xhupeta (këmisha e lehtë me një prerje mjaft të thjeshtë dhe forma më e zhvilluar është këmisha e shkurtër me dy palë mëngë në veshen e nuseve).
Vesha kabashisht e grave myslimane
Kanaci Kabashisht. Me qenë se ky ishte i veçantë dhe përdorej fillimisht vetëm në veshen e Kabashit, (ndryshe së pari quhet edhe pështjellak gjysmëkanac, por kur kaloi edhe para u quajt pështjellak, kanac rrotull). Pjesa më e vjetër e veshjes kabashishte ishte fundi i bërë me material leshi, me pala shumë të vogla dhe vishej sipër këmishës duke mbuluar vetëm pjesën e mbrapme që nga beli deri në pulpë të këmbës.
Për të bërë kanacin përdoreshin dy fletë pëlhure të leshtë të endura në vegjë me katër lisa (liq), me gjatësi: 3 m dhe gjerësi 30 cm, të cilat qepeshin me dorë me njëra-tjetrën. Puna më e lodhshme ishte përgatitja e palave (turrimi duke i hedhur ujë sa më të ngrohtë). Për këtë në çdo 2 cm pëlhurë kthehej një palë dhe përshkohej me gjilpërë me penj nga kreu deri në fund. Mbasi përfundonte përshkimi, pëlhura e mbledhur nga qepja, thahej, ngjyrosej me bojë të kuqe në kafe dhe lihej për një kohë të gjatë të thahej në hije. Më pas i hiqeshin fijet e qepjes së palëve dhe kështu, kanaci ishte gati të përdorej, pa iu prishur palat derisa të grisej. .
Në fillim kanaci rrotull ishte me ngjyrë të kuqe e pa zbukurime. Në fillim shekullin XX ai filloi të përshkohej tejpërtej me fije teli larë në ar apo argjend, të cilat formonin rombe të ndritshme. Për t’i dhënë shkëlqim kanacit, hera-herës zbukurohej edhe me xixa e me rruaza shumëngjyrëshe. Gjithë ky sfond mbyllej përfund me një shirit të punuar me grep, me fije mëndafshi, me ngjyrë të bardhë.
Studiuesi Xh. Meçi, (“Mjeshtër i Madh”) jep këtë shpjegim për emrin e kanacit:
“Kanaci është një pështjellak i përgatitur në vegjë, i ngjeshur më pas duke formuar palë që nuk i prishen kurrë. Kanaci ngjyhej i kuq (të kuqen në Pukë e quajnë kanë ), e cila nxirrej prej një lloji lmyshku e quajtur kanë, që mvesh ndisa gurë të zinj. Si mblidhej ky lmyshkkanë, hidhej në ujë të ngrohtë, duke e përzier derisa lëshohej ngjyra e kuqe. Prandaj ka marrë emrin kanac”. (MEÇI Xh. KABASHI, Puka që në lashtësi -2, Tiranë, 2008, fq.24)

3. VESHA E BURRAVE
Veshja e burrave në të gjithë trevën e Pukës është pothuajse e njëjtë. Meqë ndryshimet midis rrethinave janë të vogla, po shqyrtojmë vetëm kostumin e burrave të rrethinës së Pukës.

Vesha me këmishë të gjatë, ngjeshur për trup
Pjesa më e rëndësishme e kësaj veshe, që i ka dhënë edhe emrin, është këmisha e gjatë prej leshi, më vonë liri deri te faqelli pa ngjyrë, natyrore. Këmisha e leshtë është mbajtur deri në fund të shekullit XIX. Kjo bëhej prej një flete pëlhure të leshtë para e prapa me një shtesë nën sqetull e me mëngë të shkurtra. Këtë formë ajo e ruajti derisa u fut në përdorim pëlhura e pambuktë. Këmisha prej pëlhure pambuku bëhej më e gjerë duke i shtuar kinda anash. Këmisha e pambuktë kishte mëngë të gjera e të gjata deri tek nyja e dorës. Bashkë me këmishën janë veshur edhe tlinat( mbathjet e gjata) të lita e më vonë të leshta, me prerjen e mbathjeve të gjata të zakonshme. Mbi këmishë lidhej brezi i leshtë, i punuar në vegjë (zakonisht afro 5-6 m i gjatë) . Në pjesën e sipërme mbahej një jelek i zakonshëm shajaku i zbukuruar me gajtana të zezë. Në këmbë mbatheshin çorapet e leshta të shkurtra dhe opingat me lëkurë lope. Në shumë raste çorapët qëndiseshin. Në kokë ngjeshej kësula pak e ngritur , por e rrafshët e ngjashme me kësulën e Lekë Dukagjinit, siç del në gravurat e shek XIX. Kjo ishte veshja e përditshme për stinën e ngrohtë. Kësula gjatë dimrit rrethohej mbi ballë e veshë me shami të kuqe.

Veshja me tirq dhe guna e xhamadani i kuq
Tirqit ishin prej shajaku të bardhë të endur në vegjë me dy lisa (liq). Prerjen dhe qepjen e tyre e bënin disa gra të specializuara. Bëhej nga katër pjesë: balli i shkekut, balli i kofshëve, prapanica ( bytheci ) dhe paranica. Para se të fillonte qepja, përgatiteshin gajtanët, duke i qepur së bashku 14-16 fije. Fillimisht bënin shkekat (në vend të xhepit), ku veç fijeve të bashkuara, zbukuroheshin me një përdredhcë gajtanash në formë gërsheti nga brenda dhe forma lulesh jashtë linjës kryesore. Rëndësi i kushtohej edhe këmbëzave, mbi shputat e të cilave vendoseshin në formë vezake dy shirita me 14-16 fije, ndryshe nga tirqit e Mirditës dhe të Shkodrës. Bashkimi i pjesëve të prera bëhej njëherësh duke i përshtatur edhe shiritat e gjerë të përgatitur me gajtanë leshi të zi. Guna kishte formën e xhaketës së mëvonshme, por me krahë të shkurtër e të gjërë. Ishte prej shajaku leshi. Mbi krahë kishte kacurretën, copa e gjatë deri te shpatullat.
Xhamadani i kuq ishte me krahë, i zbukuruar me qëndisma. Përdorej për raste ceremoniale. Xhamadani i zakonshëm përdorej pa krahë i thjeshtë, i leshtë, por më vonë prej pelhure. Vesha e burrave me tirq, kësulë dhe xhamadan të kuq deri në vitet ’30 të shek. XX disa trima kanë vënë 1-2 kësula njëra mbi tjetrën me largësi 1-2 cm.

II.  VEGLAT MUZIKORE
Instrumentet muzikore tradicionale janë një nga pasuritë e rralla të kulturës pikase krejtësisht shqiptare. Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore përbën një zeje të veçantë, në zejtarinë shqiptare. Punimi i instrumenteve muzikor fillimisht bëhej vetë, nga çdo familje me mjete rrethanore si p.sh. me gjethe, me barëra, me bimë të ndryshme, me brirë, me lëkurë kafshësh , me gurë, me hekur etj. Në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim të shek.XX, filluan të hapen dyqanet e para të punimit të veglave muzikore. Zanafilla e veglave muzikore fillon me lahutën, instrument kordofon me një tel, me të cilën malësorët shoqëruan këngët epike të Ciklit të Kreshnikëve, të cilat kanë pasë shumë përhapje në krahinën e Pukës.
Nëpër kullota me bagëti barinjtë kalonin kohën nën tingujt e ngrohtë të fyellit e të bilbilit, të cilët kanë pasë një përdorim shumë të hershëm dhe lidheshin kryesisht me jetën baritore. Malësorët këngët dhe vallet i shoqëruan gjithashtu me tingujt e ëmbël të çiftelisë. Tradita e përdorimit të këtyre instrumenteve muzikorë. Veglat në dasma ishin kryesisht lahuta, çiftelia, sharkia (më vonë) tupani ose lodra dhe dajrja (defi).

III. DASMA

Dasma kalonte nëpër tri faza:
1.  Martesa e djalit, dasma. Ndërsa martesa e vajzës është quajtur në të folmen e Pukës FE, sepse në shtëpinë e prindërve të vajzës nuk krijonin atmosferë dasme si për djalin. Kryesor në dasmë ishte veshja kombëtare, sidomos e grave, që karakterizohet nga një veshje origjinale që nga shamia e kuqe ose e verdhë atllas me thekë, sipas ngjyrës së shamisë, kapuçi me rruaza e pare për nuset e kishin bistekë të stolisur bukur me rruaza, vendoseshin bishtalecat e flokëve.

Fazat e riteve të origjinalit të dasmës të qytetit të hershëm të Pukës dhe lagjeve përreth
Fejesa e djalitDasmës i paraprinte FEJESA e djalit me vajzën, në të kaluarën kryhej me shkues, ndërmjetës. Fejesa bëhej me mirëkuptimin e familjeve të djalit dhe të vajzës. Kërkesën për fejesë e bënte ana e djalit. Gjithmonë fejesat kishin parasysh që të ndodhnin në mes familjeve të njohura për virtyte. të një fisi tjetër.
Për arritjen e marrëveshjes së familjeve, shkuesit i duhej të shkonte disa herë te familja e vajzës, derisa ajo bindej. Për këtë gjë, shkuesi e kishte për detyrim moral të lavdëronte djalin dhe familjen e tij, por edhe te familja e djalit lavdëronte familjen e vajzës dhe vetë vajzën. Ndonjëherë ndodhte që shkuesi edhe t‘i shtonte, t’i lavdëronte familjet pa i merituar ato epitete, vetëm e vetëm për ta kryer punën e shkuesisë, apo pajtimin e familjeve për t’u miqësuar. Shpesh ndodhte që shkuesit familja e djalit i premtonte edhe çmime të majme parash e peshqesh, vetëm e vetëm për ta kryer fejesën e djalit me vajzën që dëshironin. Ndodhte që shkuesi të dilte edhe qesharak nga lëvdatat e familjes së djalit dhe vetë djalit apo anasjelltas, familjen e vajzës apo vajzën.

Fejesa e vajzës
Posa arrihej pëlqimi dhe pajtimi i familjeve, shkuesi, vetëm apo me ndonjë person të afërm të familjes së djalit, shkonin te familja e vajzës për ta “pre fjalën” e vajzës ose pëlqimin për fejesë, pëlqimin e familjes së vajzës. Me rastin e shkuarjes së shkuesit, familja e vajzës, përgatiste një darkë për shkuesin me shoqëruesit e tij.
Pasi hanin darkë, shkuesi i drejtohej të zotit të shtëpisë, që zakonisht ishte i ati i vajzës:
– (O filani!) ta kemi mësy për me na e dhanë çat çikë për djalin e filanit. Dhe niste të fliste mirë për djalin dhe familjen e tij brez pas brezi.
I zoti i shtëpisë apo i ati i vajzës, pasi i falënderonte shkuesin me të tijtë për begeninë, nuk ia jepte menjëherë fjalën. Të nesërmen, kur pinin kafen e mëngjesit dhe kryefamiljari e gjykonte se nuk kishte për të pyetur njeri, u thoshte se ishte dakord dhe u caktonte një ditë jo më shumë se një javë kur do të vinin njerëzit e afërt të djalit për të sjellë “shejin” ( rizë dhe unazë). Kur ai e gjykonte se do të pyeste të afërmit e tij, sidomos dajën e vajzës siç ishte zakoni, i caktonte një afat dy-tre ditor për të marrë përgjigjen përfundimtare.
Pas ”dhënies së fjalës”, nga familja e djalit organizohej çuarja “e shejit”. Pasi binin dakord të dy familjet nga ana e djalit shkonte babai i shoqëruar nga dy ose tre të afërm. Tek shtëpia e vajzës përgatitej darka dhe për të marrë pjesë në të ftoheshin të afërmit e familjes, bija, nipa, mbesa etj. Pasi hanin darkë, babai i djalit thoshte se kishte sjellë “shejin”. “Sheji” përbëhej nga një rizë, shami mëndafshi, dhe një unazë model i Delmaces, të cilat ia dorëzonte nënës së vajzës, duke i thënë:
-Për hair! T’i gëzoftë!
Këto fjalë i thoshin të gjithë të pranishmit, si ata të djalit dhe të vajzës.
Nëna e vajzës i merrte këto dhe i ruante në arkën e saj dhe ia dorëzonte së bijës ditën kur vishej nuse.
Në “shejin” e nuses që sillnin njerëzit e djalit, përveç rizës dhe unazës, kishte zakonisht veshje dhe një shumë parash. Këto i nxirrte nga dujqit njëra nga gratë e shtëpisë së vajzës dhe i tregonte për t’i parë të gjithë dhe njëkohësisht thoshte me zë emrin e veshjes ose dhuratës. Pas kësaj, i ati i vajzës shtronte kushtet që do të plotësonte familja e djalit, që kishin të bënin sidomos me pajën, siç ishin veshjet, rrobat e fjetjes etj. Vetëm pasi mbaronin të gjitha këto, të gjithë të pranishmëve u sillej nga një kafe. Kur e mbaronin, secili uronte “Për hair!”. I ati i dhëndrit linte në tabaka nj monedhë ose bankënotë parash.
Për përgatitjen e pajës punonte vetë nusja dhe të afërmet e saj, gjithnjë sipas përcaktimit që kishin bërë më parë. Këto ishin kryesisht punime prej leshi si çorape etj.
Pak ditë para dasmës të dy palët bënin “Shtegun e Shkodrës” për të blerë ato gjëra që nevojiteshin të veshmbathjes dhe të fjetjes që nuk mund t’i përgatitshin vetë.
Vetëm kur çohej “sheji” dhe piheshin kafet si vajza, si djali quheshin të fejuar. Dasma e vajzës bëhej ditën e mërkurë ose të shtunë. Ishte traditë që vajza të mos ishte në dijeni për ditën e martesës, me qëllim që ajo të mos dëshpërohej se po ndahej përgjithmonë nga prindërit dhe familja. Pasi gratë e shtëpisë kishin bërë gati çdo gjë tjetër për ceremonin e martesës, gratë e shtëpisë mblidhen dhe bisedojnë se kush do t’i thotë vajzës për ditën e dasmës. Vajza, përpara se të ngrihej në mëngjes e të vazhdonte punët e ditës, një grua e shtëpisë e thërriste pranë dhe i thoshtet: “Eja e ngrihu, se je e zënë dhe nuk do të dalësh përjashta, sepse nesër a pasnesër shkon nuse”.
Vajza futej në dhomë dhe fillon të qante. Ishte turp të mos qante në dhomë Një grua e shtëpisë,zakonisht e ditur, që quhej për rastin “veshatarja”, merrej me stolisjen e nuses. Ardhja e të ftuarve, sidomos bijave, dajave, xhaxhallarëve e nipave dhe mbesave shënonte fillimin e dasmës së vajzës (fesë). Vendoseshin burrat veç dhe gratë veç. Në dasmën e djalit ose të vajzës janë luajtur edhe valle të kënduara që luheshin nga 4-6 gra. Ja teksti i një valleje të kënduar:
(strofa I) “Ani, kce moj Mire (dy herë)/Ani gjanë e gjanë-e,/Ani qashtu bafsh-o/ Dhe për djalin tand-e !
(Strofa II) Ani, kce, moj Gjyl-l-l-e / Ani gjan- e gjan-e,/Ani qashtu bafsh-o / edhe për vllaun tand-e! (Kështu vazhdon, duke përmendur edhe dajën e nipin).
(Strofa III) Kceni, more kceni-i/O të gjithë sa jeni/Se këtë çikën tonë/Si flori e kemi.
(Strofa IV) Ani kush mos kceftë,/ Ani kush mos kndoftë/5 herë burri/Ani iu martoftë!
Edhe burrat luajnë valle, këngë e lojëra sipas traditës, por kryesisht te djali.
Gratë nxjerrin njëra-tjetrën për ta kërcyer këtë valle derisa të krijohet një grup valltaresh me ritet origjinale të dasmës me lëvizje të këmbëve dhe duarve duke u bashkuar nga 1-8 gra.


Burrat nëpër sofra këndojnë këngë të ndryshme të shoqëruara me një çifteli, lodër, sidomos në darkë vonë këndohet “kënga e filxhanit”, duke krijuar humor tek të pranishmit, pastaj, pas darke, fillojnë lojërat popullore, si “bizzz!”, apo“ban Usta, si ban baba!”.
Ishte traditë te myslimanët që ditën e enjte të zhvillohej ceremonia e dhënies të vajzës (nuses) nga shtëpia e babait. Nusja e veshur me rroba origjinale kombëtare, që nga shamia e kokës e deri tek këpucët, me duvak të kuq në krye, çohej nga dhoma e vet në dhomën e grave për të realizuar faljen (përqafimin) me pjesëtarët e familjes, e shoqëruar nga një grua, që i thoshte po takohej me nënën, babanë, motrën, vëllain, tezet, nuset e xhaxhallarëve, komshinjtë me të cilët vajza ishte rritur. Në këto çaste vajza ndahej e përmalluar duke qarë me të madhe.
Një grup grash, ndërkohë, këndojnë ”këngën e largimit” nga familja për të jetuar përgjithmonë në një familje tjetër, në atë të burrit.
Kënga e Vajzës (e çikës)
“Qaj, moj çikë, qaj me mall!/Se kanë ardhë krushqit për me t’marrë./Qaj, moj çikë, me kryet në grusht,/Se kanë ardhë me t’marrë këta krushq./Qaj, moj çikë, o n’der’ të shpisë,/Se t’kanë lanë lojnat e çiknisë” etj.
Në këtë çast vajza është duke qarë dhe kënga nuk pusho, krushqve dikush ua bënë “Për har, mor!” Krushqit jua kthejn :” Har paqi, mor e në dasmat tuaja!
Përgatitjet për dasmë te dhëndrri
Kur familja e djalit kishte kryer detyrimet e saj ndaj familjes së vajzës sidomos për përgatitjen e pajës dhe të tjerat, i zoti i shtëpisë, apo babai i dhëndrit me shkuesin apo një shoqërues, shkonte në familjen e vajzës, ku me këtë rast organizohej një darkë dhe i parashtronte babait të vajzës dhe të tijve se ata ishin gati dhe duhej të “ndanin ditën”, që nënkuptonte ditën e dasmës.
Kur familja e vajzës vërente se familja e djalit i kishte plotësuar kërkesat e saj dhe vajza tashmë ishte rritur dhe ishte gati për t’u bërë nuse “dahej dita” e dasmës (tek vajza Feja). Dita e dasmës caktohej 7-9 javë përpara.
Me marrëveshjen e familjes së djalit dhe të vajzës për ditën e vades së dasmës, nisnin përgatitjet për dasmë në të dy familjet, por familja e djalit duhej të përgatitej më tepër, sepse në dasmë duhej ftuar mysafirë të shumtë nga miqësia, farefisi, fqinjët, shokët e djalit, shokët e të zotit të dasmës, bijat e familjes së gjerë, e kështu me radhë.
Përpara, gjatë përgatitjeve, përveç që hyhej borxh, shitej ndonjë kafshë për të ardhur deri te mjetet, që i duheshin për dasmë të zotit të familjes së djalit.
Merreshin masat për të bluar e gatuar bukë për dasmë; ndërkohë caktohej drejtuesi i dasmës që ishte një i afërm i familjes, kafexhiu, akshia (kuzhinieri). Bile, gjatë sezonit të vjeshtës, e sidomos të dimrit, druvarët shkonin për dru, për t’i ngrohur dhomat e dasmorëve. Gratë e fshatit çonin si kontribut në familjen e dhëndrit nga një barrë dru.
Koha e dasmës në Pukë
Dasmat pukjane bëheshin të enjten për ata të besimit mysliman apo të dielën për besimin katolik. Zakonisht dasmat zhvilloheshin në kohën e vjeshtës, pasi edhe mundësitë ekonomike ishin më të mira dhe bagëtitë që do të thereshin për mish- më të majme. Pra dasma ndodhte dhe shtrihej për disa ditë si në familjen e djalit, ashtu edhe feja në familjen e vajzës.
Dita e marrjes së nuses-shkuarja e krushqve
Në Pukë, kaherë në traditën popullore, bëhen me daulle, ndërsa te gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime dhe gazmende popullore, në pritje të ardhjes së nuses dhe krushqëve.
Krushqit do të renditeshin duke filluar nga krushku i parë që ishte si rregull një shoq dhe pas tij vinte daja i dhëndrit; ”një shoq-një mik” e kështu me radhë. Në fund ishte i zoti i shtëpisë me kalë për dore. Numri krushqve ishte gjithnjë një më shumë se kishin caktuar kur kishin ndarë ditën. Ky numër ishte gjithnjë tek: 7, 9, 11, 13 a 15. Nisja e krushqve bëhej e shoqëruar me këngë dhe qitej pushkë.
Ardhja e nuses në shtëpinë e dhëndrit.
Kur nusja hynte në oborr, caktohej një djalë i vogël që i vihej asaj në prehër, ku djali i vogël qante me të madhe dhe nusja i dhuronte një palë çorape të stolisura bukur.
Nusja qëndron në këmbë, bën temena dy-tri herë dhe nga gratë këndohen këngë për nusen, vjehrrën, vjehrrin, dhëndrin etj:
“Nusja jonë në oborr”: “Nusja jonë n’oborr-e,/Karajfil n’shatorr-e./Nusja jonë në der-e,/Karajfil me er-e./Nusja jonë në shpi-e,/Karajfil n’saksi-e./Nusja jonë n’çardak-e,/Karajfil zambak-e.
Gratë largoheshin dhe përcjellësit e fusnin nusen në dhomën e saj. Sipas zakonit, dhëndri nuk dukej në ato çaste, sepse nuk ka qenë traditë që dhëndri të shkonte për të marrë nusen. Kur përcjellësit gjendeshin në shtëpinë e dhëndrit, pushonte ahengu. Përcjellësit gostiteshin me petulla me mjaltë dhe kishte raste që ata hanin edhe drekë ose darkë, sipas largësisë që kishin për t’u kthyer. Me largimin e përcjellësve nga shtëpia e mikut dhëndri hyn në odë, i hiqte duvakun nuses, merr një petull që e lyen në mjaltë, të cilën e hante përgjysmë me nusen. Pas kësaj, dhëndri del menjëherë përjashta. Tashmë ndërronte atmosfera, sepse binte lodra dhe gratë këndonin e kërcenin. Në çastin kur vinte nusja gratë këndonin këngën
“Mirë se vjen kunata jonë”:
“Mirë se vjen kunata jonë,/Mirë se vjen në sarajin tonë!/Saraj le e saraj gjete./Se ktu gjen nji tufë me pata./Mos kujto se kto jan pata,/Se kto jan zonjat kunata./Se ktu gjen nji tufë me desh,/Ata jan zotnitë kunet./Mos kujto se se ata jan biba,/Ata jan mbesa e nipa”.
Ose kënga tjetër që i këndohet nuses “Mori lulja e frashnit t’bardhë”:
“-Mori lulja e frashnit t’bardhë,/A t ‘tha nana: “Udhambarë”?/-Udhambarë nana m’ka thanë,
Lot për faqe ia kam lan/-Mori lulja e frashnit t’bardhë/A t’tha baba: “Udhambarë”?