
“Mendova se kisha vdekur”, u gëlltit nga një balenë në ngushticën e Magelanit, kajakeri shpëton mrekullisht
22 Mars 2025
Kajakeri Adrian Simancas i mbijetoi një sulmi nga një balenë gungaçe në ngushticën e Magelanit, e cila e gëlltiti atë së bashku me kajakun e tij dhe më pas e pështyu.
Simancas ndodhej në brigjet e Kilit, i shoqëruar nga babai i tij i cili ishte në një kajak tjetër, kur një balenë gungaçe doli në sipërfaqe dhe e gëlltiti bashkë me kajakun dhe ngjarja u regjistrua në kamera nga babai i tij.
“Mendova se kisha vdekur. Mendova se më kishte ngrënë, më gëlltiti”, tha Simankas.
Ai tha se edhe pasi balena e pështyu, ai ishte ende i shqetësuar se mund të vdiste në ujërat e akullta.
“Kur fillova të notoja, u tremba se mund t’i ndodhte diçka edhe babait tim, se nuk do të arrinim në breg në kohë”, tha Simankas.
Babë e bir kanë arritur të dalin shëndoshë e mirë në breg pas ngjarjes.