Mesazhe telefonike fyese në emër të Presidentit te qytetarët, do kërkohet hetim ndërkombëtar
Mesazhe telefonike fyese në emër të Presidentit te qytetarët, do kërkohet hetim ndërkombëtar
29.04.2021
Këshilltari për Media i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi thotë se persona të identifikuar tanimë, kanë keqpërdorur mesazhe telefonike gjoja në emër të kreut të shtetit duke dërguar SMS fyese.
Këto akte të dëshpëruara- shton ai- kanë autorësinë e atyre të cilët i blenë dhe i vodhën mandatet e deputetëve më 25 prill dhe tani nuk po i gëzojnë dot.
Blushi thekson se për këtë skandal kriminal të keqpërdorimit të numrit të Presidentit të Republikës “do kërkohet hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar”.
Sipas tij, akte të tilla vënë në rrezik serioz edhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s.
Zëdhënësi i Presidentit fajëson për aktin atë që ai quan “organizata Rilindja” e cila sipas tij, në mënyrë mafioze dhe të paligjshme rrëmbeu të dhënat personale të të gjithë qytetarëve për qëllime survejimi politik elektoral dhe shantazhimi.
Deklarata e plotë: Në emër të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dënoj me forcë konsumimin e veprës penale të keqpërdorimit të mesazheve telefonike, gjoja në emër të Kryetarit të Shtetit, nga disa persona të identifikuar, që sipas të dhënave të siguruara, kanë dërguar këto ditë mesazhe me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në adresë të disa qytetarëve.
Këto akte të dëshpëruara, kanë autorësinë e atyre të cilët i blenë dhe i vodhën mandatet e deputetëve më 25 Prill dhe tani nuk po i gëzojnë dot.
Duke ju kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve, të cilët kanë marrë mesazhe të tilla, ju lutemi të na venë dijeni menjëherë.
Për këtë skandal kriminal të keqpërdorimit të numrit të Presidentit të Republikës do kërkohet hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar, pasi nëse institucionet tona do të ishin funksionale askush nuk do të guxonte të bënte akte të tilla të çmendura dhe të dënueshme ligjërisht, që mund të venë në rrezik serioz edhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s.
Falenderojmë ish-kryetarin e Bashkisë Berat, z.Petrit Sinaj, ish-kryetarin e Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu, deputetin Lefter Maliqi, ish-deputeten Silva Caka dhe shumë të tjerë, që na informuan menjëherë.
Edhe njëherë ju kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve për shqetësimet, që u kanë krijuar mesazhe të tilla, që kanë vetëm një përgjegjës: Organizatën Rilindja.
Është pikërisht kjo organizatë, që në mënyrë mafioze dhe të paligjshme rrëmbeu të dhënat personale të të gjithë qytetarëve për qëllime survejimi politik elektoral dhe shantazhimi.
Kur guxojnë të bëjnë një krim të tillë duke guxuar të fabrikojnë numrin zyrtar të telefonit të Presidentit të Republikës, ç’mund t’u bëjnë këta banditë qytetarëve të thjeshtë?
Gazeta Shekulli