Mësuesi pasionant i letërsisë, një artizan duarartë që po mban gjallë traditën e çmuar të prodhimit të instrumenteve muzikore.-
Mësuesi pasionant i letërsisë, një artizan duarartë që po mban gjallë traditën e çmuar të prodhimit të instrumenteve muzikore.-
Të paktë janë ata persona që krahas një profesioni në jetë kanë zgjedhur të shkrihen dhe me pasione të tjera.
I tillë është rasti i mësuesit të mirënjohur nga Dardha e Pukës, Gjelosh Alia, i cili përpos pasionit të mësimdhënies si mësues letërsie pranë shkollës “Gjergj Fishta”, në kryeqytet, ruan dhe ushtron me mjaft zell pasionin e tij të prodhimit të çiftelive, të këtij instrumenti muzikor që tipologjikisht është pjesë përbërëse e korpusit të vlerave të trashëgimisë popullore të trevës së vendlindjes së tij, Pukës, zonë nga ku artizani duarartë, përveç lidhjeve të tij shpirtërore, u mbrujt dhe u ushqye me nektarin e këtij thesari të paçmuar vlerash.
Jaho Brahaj, Gjelosh Alia, Ermal Sela dhe gazetarja Anisa Ymeri ne nje emision televiziv per veprimtarine e Gjeloshit.
Në punishten e tij modeste, artizani zellmadh gjendet vazhdimisht llërëpërveshur duke punuar dhe latuar me kujdes instrumentet muzikore, të cilave ai u kushton një rëndësi dhe kujdes të veçantë, duke synuar perfeksionin në çdo detaj të prodhimit të tyre.
Por, Gjeloshi, është dhe një mësues letërsie mjaft pasionant dhe profesional. Ai, ka krijuar një simbiozë të harmonishme mes pasionit dhe profesionit, ku krahas interpretimit të vargjeve dhe transmetimit të dijeve të tij për klasikët dhe modernët e letërsisë botërore, ai, gjen kohë nga koha e tij e çmuar dhe për të temporuar tingujt e çiftelive që ai po vetë i prodhon.
Gjelosh Alia, nuk është veç një ndërtues profesionist i çiftelisë. Ai merret edhe me prodhimin instrumenteve të tjera muzikore si; lahuta, sharkia, etj.
Nuk mund të thuhet sa njerëz e vlerësojnë këtë art. Aq më tepër, në kushtet e mungesës së studimeve konkrete për vlerësimin e tij, por artizani ynë na tregon se cilët janë klientët e tij më të shpeshtë. “Të huajt, turistët që vijnë dhe vizitojnë vendin tonë, zgjedhin instrumentet muzikore shqiptare për t’i marrë me vete në shtëpitë e tyre si një kujtim nga vendi ynë. Shqiptarët e veriut, më së shumti ata të trevës së Kosovës, kryejnë porositë më të mëdha për sa u përket këtyre instrumenteve”.
Prodhimi i instrumenteve muzikore të punuara me dorë është në rënie. Këtë e pohon dhe mbartësi i kësaj kulture, mësuesi fisnik, por artizani duarartë Gjelosh Alia, kur shprehet se shkaqet mund të jenë të natyrave komerciale, por dëmi që po i shkaktohet këtij zanati, i cili po zhduket në rrjedhat e zhvillimeve të kohës, është mjaft i madh.