Meta flet sërish për shpërndarjen e Parlamentit: – E vetmja zgjidhje

06/11/20

Presidenti Ilir Meta apeloi edhe njëherë qeverinë Rama për t’u ulur në dialog me grevistet naftëtare në Ballsh.

Duke folur nga qyteti antik i Bylisit, kreu i shtetit tha se kjo qeveri çnjerëzore do të marrë dënimin e merituar në 25 prill dhe e kujtoi qeverinë se do të jetë përgjegjëse për shëndetin dhe jetën e naftëtarëve.

“E vetmja zgjidhje që mund të bëhet është shpërndarja e parlamentit dhe shpërndarja e qeverisë për të zgjidhur një problem mjaft të agravuar social. Por nuk mendoj se është ky momenti për t’i dhënë përgjigjen e merituar një qeverie çnjerëzore. Aq më tepër kur rëndohet shëndeti i grave dhe gjithë grevistëve. Korrupsioni pa fre dhe mungesa e përgjegjësisë ndaj jetës së njerëzve dhe problemeve të tyre është një dimension i përditshëm i kësaj qeverie dhe presidenti për të gjithë neglizhencën që bëhet jo vetëm grave naftëtare, jo vetëm naftëtarëve, jo vetëm minatorëve, jo vetëm gjithë shpresave më të përvuajtura të shoqërisë sonë të cilat kanë kontribuar kaq shumë për zhvillimin e ekonomisë, zhvillimin e vendit, Presidenti do të gjejë kohën e duhur për t’i dhënë përgjigjen e duhur së bashku me gjithë popullin shqiptar. Megjithatë unë shpresoj që të ketë një dialog sa më parë të jetë e mundur, humbja e jetës apo shëndeti i çdo qytetari apo qytetareje do të ishte një përgjegjësi tepër e rëndë e qeverisë aktuale, në veçanti e Kryeministrit”, u shpreh Meta. Gazeta Mapo