Meta i tronditur për vdekjen e Bashkim Finos, Kuvendi njofton për homazhe në nder të deputetit
Meta i tronditur për vdekjen e Bashkim Finos, Kuvendi njofton për homazhe në nder të deputetit
29 MARS 2021
Presidenti i Republikës Ilir Meta shprehet i tronditur për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino, i cili humbi betejën me COVID-19. Meta shkruan se është “një dhembje e madhe që na ka lënë pa fjalë”.
“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes.
Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!
Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!”, shkruan Meta.
Për këtë lajm të trishtë ka reaguar edhe kryesia e Kuvendit. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Kuvendi njofton se në nder të tij do të organizohen sot homazhe në Pallatin e Kongreseve.
Njoftimi i Kuvendit të Shqipërisë
Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë njofton më hidhërim të thellë se sot në orët e para të mëngjesit u nda nga jeta deputeti Bashkim Fino. Kryesia e Kuvendit i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve dhe njofton se në nderim të deputetit Bashkim Fino, sot, më 29 mars, nga ora 11:00-16:00, do të organizohen homazhe në Pallatin e Kongreseve. Përcjellja bëhet në orën 16:00. KRYESIA E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Nga Gazeta Shqip