Meta paralajmëron: – Qeveria do të kërkojë sërish 500 mln euro hua. 2023-shi viti i vështirë!
12 Janar 2023
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat deklaroi se qeveria do të kërkojë sërish 500 milionë euro borxh. Ai tha se 2023-shi do të jetë një vit i vështirë.
“Qeveria do të dalë për herë të gjashtë në tregjet e kapitalit për të emetuar një Eurobond dhe tashmë ka përzgjedhur edhe konsulentin ligjor që do ta udhëheqë këtë transaksion. Qeveria do të kërkojë sërish 500 milionë euro dhe kjo shumë edhe mund të rritet. Në kushtet kur si pasojë e rritjes së çmimeve Qeveria arkëtoi 520 milionë USD, dhe ndërkohë që Shqipëria emetoi një Eurobond prej 650 milion euro në nëntor të vitit 2021, është tepër e dyshimtë huamarrja prej 500 milion euro, që e çon borxhin publik nga 107% në vlera akoma edhe më të larta.
Sa kohë Qeveria ka arkëtuar 520 milion dollarë nga rritja e çmimeve, ndërkohë që çmimet në treg nuk janë ulur, atëherë përse merren edhe 500 milion euro hua dhe për çfarë? Është shumë e qartë se fondet e grumbulluara si pasojë e inflacionit të lartë nuk do të përkthehen në më shumë shërbime për qytetarët, por do të abuzohen nga hajdutët e “Rilindjes”, pra do të merret borxh për të financuar korrupsionin dhe skandalet e panumërta financiare. Banka Botërore në raportin e fundit të saj parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ngadalësimi i rritjes ekonomike për vitin 2023 do te jete me i larte per Shqiperine krahasuar me vendet e rajonit. Rritja ekonomike per vitin 2023 do ngadalësohet nga 3.5% ne parashikimin fillestar ne 2.2%. Per vitin 2023 Shqiperia do te jete vendi me rritjen me te ulet ekonomike krahasuar me vendet e rajonit, Pra Shqipëria vazhdon të jetë vendi më pak konkurrues në rajon.”, tha Meta.
Ai shtoi se: “Transparenca dhe llogaridhënia para opinionit publik, në kushtet kur borxhi i radhës prej 500 milion euro do të rëndojë sërish në kurriz të tyre, është një detyrim i pakapërcyeshëm. Pyetje që me të drejtë ngrihet në këtë rast është se si ka mundësi që ndërkohë që merret borxh pas borxhi, kjo nuk sjell asnjë efekt pozitiv për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, përkundrazi projeksionet e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare flasin për përkeqësim të treguesve ekonomikë dhe socialë. Së fundmi Banka Botërore ka rishikuar në rritje kufirin e varfërisë ekstreme dhe absolute. Kufiri i varfërisë ekstreme vlerësohet të jetë 2.15 dollarë në ditë për person. Familjet me ndihmë ekonomike në vendin tone vlerësohen të përfitojnë 0.6 dollarë në ditë për person ose 3.6 herë më pak se kufiri i varfërisë ekstreme. Kufiri i varfërisë absolute, sipas Bankës Botërore, vlerësohet të jetë 6.85 dollarë në ditë. Nën këtë kufi jetojnë gjithë pensionistët e zonave urbane dhe rurale, të gjithë personat me ndihmë papunësie, të gjithë punonjësit familjarë që paguhen në kufirin e pagës minimale dhe përtej saj. Që të thotë se gati 80% e shqiptarëve jetojnë nën ose në kufirin e varfërisë absolute.
Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur niveli i borxhit publik për të parandaluar një humnere ekonomike e financiare dhe drama të mëtejshme sociale, përsëris thirjen e Partisë së Lirisë drejtuar Kuvendit dhe institucionet financiare të huaja dhe vendase, për të bërë sa më parë një vlerësim real dhe transparent të borxhit publik duke përfshirë të gjitha detyrimet aktuale dhe ato të pritshme të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu duhet të bëhet dhe një analizë e ndikimit të tij në qëndrueshmërisë e financave publike dhe në përkeqësimin e parametrave makroekonomikë, me pasojë cenimin e interesit publik të përgjithshëm.”.
Ballkanweb