Meta: Qeveria ka korruptuar Bashën! – Izolimi i Berishës për arsye politike. – PL uragan lirie
13 Prill 2024
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për mediat nga Korça deklaroi se qeverisja e Edi Ramës ka korruptuar Lulzim Bashën.
Meta tha se izolimi i Sali Berishës është bërë për arsye të pastra politike. Ndërsa, shtoi se PL është një uragan i vërtetë lirie.
“Partia e Lirisë është e gatshme të jetë një uragan për t’i dhenë tjetër ton opozitës. Po të ishte e dobët opozita, nuk e izolonin Berishën për qëllime politike.
Rama ka korruptuar Lulzim Bashën dhe ndërkombëtarët. PL do të japë mesazh të fuqishëm për të infiltruarit dhe të korruptuarit e Rilindjes”, u shpreh Meta.
HETIMI I KRYEMADHIT
Kryetari i Partisë Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat tha se hetimet e SPAK për pasurinë e Kryemadhit, nuk kanë interes për të.
“Kjo nuk përbën asnjë interes për mua. Ajo është një zonjë e mrekullueshme dhe gjithçka tjetër është politikë dhe asgjë tjetër. Nuk kam asnjë informacion. Sa herë kam qenë në SPAK, kam dalë para gazetarëve.
Sa herë të më ftojnë do u bëj dhe disa pyetje serioze prokurorëve. Kanë kërkuar dhe një mandat tjetër. Ua ka kërkuar Arben Ahmetaj ato 60 mln eurot ku janë, por nuk i gjejnë dot. Se kanë parë firmën e Veliajt.”, tha Meta.
PALESTRA
Ilir Meta, nga Korça u përgjigj edhe për faktin se i ka kushtuar së fundmi shumë kohë stërvitjeve.
Meta tha me humor se mesazhi është që rinia dhe shqiptarët në tërësi të bëjnë sport e të mos pijnë mall. Ai bëri thirrje që t’i kthehet vëmendja sportit.
Ndërsa, shtoi se ka ngjitur Majën e Korabit dhe të Jezercës e se dëshiron të ngjisë edhe malet e tjera të larta të Shqipërisë.
“Kam qenë sportist. Qëllimi është bëni sport, mos pini mall. Mesazhi është se pa djersitje nuk ka rritje. Maja e Çikës më kanë thënë se është më e bukura në botë.
Majën e Korabit dhe të Jezercës e kam ngjitur, pa asnjë diskutim që dua të ngjis malet e larta të vendit tonë. Sporti duhet të jetë prioritet edhe për Korçën”, deklaroi Meta.
Nga OraNews