Meta shprehet se nuk e ka takuar kurrë McGonigalin. – Kërkon nga SPAK të hetojë dhe ish-agjentin e FBI, Mark Rossinin
2 Shkurt 2023
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do t’i bashkohet protestës së thirrur nga aleati i tij Sali Berisha në 11 shkurt kundër Edi Ramës për përfshirjen në skandalin “McGonigal”.
Në një konferencë për mediat, ish-presidenti u shpreh se opozita do të protestojë deri në rrëzimin e Ramës nga pushteti. “Përgjegjësi kryesor për rryshfetin dhe korrupsionin është Rama. Duhet të largohet sa më parë. Ka korruptuar edhe zyrtarë të lartë të shteteve aleate ka kompromentuar marrëdhëniet me SHBA.
Ftoj shqiptarët të bashkohen në 11 shkurt në orën 12:00 në protestë. Opozita do të jetë e tëra në këmbë deri në largimin përfundimtar të këtij regjimi mafioz”, tha Meta. Ish-kreu i shtetit u shpreh se nuk e takuar asnjëherë Charles McGonigal.
Ai i bëri thirrje drejtësisë të hetojë dhe ish-zyrtarin tjetër të FBI të përfshirë në skandalin “McGonigal” Mark Rossini. “Asnjëherë nuk jam takuar dhe nuk kam tentuar që të takoj një person të tillë, por në Tiranë po zbardhen shumë të vërteta nga biznesmenë e nga pronarë mediash, nga njerëz janë apo që kanë dalë nga sistemi i drejtësisë, për fat të keq kemi të vërteta se me të ka pasur mundësi të takohen persona me shumë të kaluar problematike në raport me shtetin ligjor.
Është detyra e drejtësisë tonë të bëjë një hetim të thellë të gjithë ardhjeve të zotërinjve në Tiranë, jo vetëm atij, por edhe Rosninit. Këto janë çështje që nuk ndalen më”, përfundoi kryetari i PL.