Meta ‘ulet’ në bankat e shkollës: Arsimi, shpresa për të kapërcyer sfidat. –
Meta ‘ulet’ në bankat e shkollës: Arsimi, shpresa për të kapërcyer sfidat. –
16/09/2019
Presidenti i Republikës, Ilir Meta në mënyrë simbolike është ulur në bankat e shkollës, duke uruar të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor.
Ja mesazhi i plotë i Presidentit në ditën e nisjes e shkollës për fëmijët.
Të dashur vogëlushë që uleni sot për herë të parë në bankat e shkollës, ju u uroj me zemër shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor, në nisjen e rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, plot me ngjyra si ëndrrat tuaja!
Sot ju hidhni hapin më të madh e më të rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni një brez i ditur që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë.
Uroj gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës.
Mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit!
Gjithashtu sot është dita për t’ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë.
Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane.