Meta zbardh takimin me Escobar: – Fokusi zgjedhjet e 14 majit, do t’i japim fund monizmit
12 Prill 2023
Kreu i PL, Ilir Meta është takuar këtë të mërkurë me të dërguarin amerikan, Gabriel Esbobar në zyrat e Partisë së Lirisë.
Meta në ‘Facebook’ shkruan se në fokus të këtij takimi kanë qenë zgjedhjet e 14 majit, ku thekson se në këtë ditë do t’i jepet fund monizmit në pushtetin vendon dhe do të rikthehet demokracia e llogaridhënien.
Meta ndër të tjera shton se në këtë takim me Esbobar kanë biseduar dhe për aleancën me SHBA dhe procesin e negociatave mes Kosovës e Serbisë, ku thekson se PL do të jetë e angazhuar për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit drejt BE.
Postimi i plotë:
Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.
Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim. Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit. E falënderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike. Vlerësova se angazhimi i SHBA-ve në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve. Theksova se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit. Nënvizova vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA. Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Gazeta Panorama