Meta: Zgjedhjet kushtetuese më 13 tetor, ligjërisht të pashmangshme
Meta: Zgjedhjet kushtetuese më 13 tetor, ligjërisht të pashmangshme. –
1 gusht 2019
Ashtu si u paralajmërua më parë nga burime zyrtare pranë Presidencës, Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për mediat ditën e sotme në orën 13:30.
Pasi ritha se hapja e negociatave për integrim në BE kërkonte standarde, Presidenti Meta tha se situata në vend nuk ishte një situatë e zakonshme dhe si kreu i shtetit ai ndjente përgjegjësi për këtë, duke theksuar se ishte i vendosur që kriza të mos përshkallëzohej, ndonëse, sipas tij, jo pa zgjidhje.
Presidenti Meta deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin të ligjshme dhe se e vetmja datë zgjedhjesh që ekzistonte ishte ajo e 13 tetorit, një datë e pashmangshme në aspetin ligjor. Ai shtoi se dekretet e presidentit mund të gjykoheshin vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Meta tha se i ftonte të gjitha palët të reflektonin dhe i bëri thirrje edhe kryeministrit Edi Rama që të reflektonte, duke thënë se nëse vijohej kështu do kishte “0%” (zero) shanse për çeljen e negociatave, duke thënë se i kishte kërkuar kreut të ekzekutivit të merrte përgjegjësi.
Edhe në këtë dalje për shtyp të Presidentit nuk munguan shprehjet pikante. Teksa fliste për marrjen e përgjegjësive, ai tha se edhe Ramiz Alia kishte ditur të merrte përgjegjësi.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjet, Meta tha se “mund të kursejmë shpenzimet” dhe të zhvillojmë 3 palë zgjedhje më 13 tetor, duke u shprehur: “Nuk kam frikë nga vota”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, presidenti tha se “politika me mosveprimet e saj e çoi në krizë vendin”. ai shoti se kjo situatë u “gatua” nga politikanët shqiptarë, ndonëse nuk pranoi të komentonte kërkesat e opozitës.
I pyetur nëse kishte bërë gabime ndaj Ramës, Meta tha se nuk kishte njeri të pagabueshëm por u shpreh se e rëndësishme ishte të mos bëheshin faje.
Konferencën për mediat, presidenti Meta e përmbylli duke shprehur se ishte i durueshëm dhe shpresëplotë për zgjidhjen e krizës dhe duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar.
e.ll./dita