Mid-hat Frashërit mbi shkrimin e vjeter të Elbasanit.
30 Korrik 2023
“Më 1909 kur isha në Elbasan për kongresin e shkollavet, pashë te Z. Lef Nosi nga ky qytet, një dorëshkrim shqip të vogël, një Liturgji të Thodhor Haxhi Filipit, pas Shën Gjon Hrisostomit, e mbetur nga fundi i shekullit të 18-të, dhe shkruarë me ató shkronjat e ndryshme të Thodhrit, që Hahn-i i ka marrë për shkronja shqipe arkaike.
N’Elbasan mësova se një mësues i greqishtes, i quajtur Tushi Pina dhe vdekur i ri nja 25 vjet më parë, kishte lënë ca dorëshkrime, ca përkthime, etj, të cilët sot gjenden në duart e Z. Gjergj Pekmezi, në Vjenë; këta shkrime i zë ngoje dhe Pekmezi në një studim të vogël që ka shkruar gjermanisht mbi shkronjat hundore të gjuhës s’onë*.
* Zotin Pekmezi që e pyeta me një letër mbi këtë çështje, pati mirësinë të më përgjigjet për këto më poshtë, më datë 3 Shtator 1926:
“Me 1901 u-dërgova prej Akademisë së Diturisë, Komisionit Ballkanik të Vjenës, në Shqipëri, për studime dialektologjike, dhe me një mesazh të veçantë nga ana e profesorit tem Jagiçit, për shkrimin e vjetër të Elbasanit…
Në Elbasan gjeta atëhere disa njerëz, tregëtarë dhe një grua, të cilët edhe shkruanin me shkronjat e vjetra të Elbasanit. Mirret vesh këta ishin pleq, dhe gruaja me plakë akoma.
Në shtëpin’ e Papa Gjorgjit njofta një kallogjer 80 vjeç, të quajtur Partheni, të Manastirit Shën Gjon, me ndihmën e të cilit, fshehtazi vajta gjer në Manastir, dhe atje, prapa altarit të Kishës, gjeta një arkë të vjetër e të shkallmuar, në të cilat gjeta shumë dorëshkrime, prej të cilëvet mjerisht m’u desht vetëm disa copëra fshehtazi të marr.
Ç’u bënë të tjerët dorëshkrime? Pyeta përpara disa vjetëve kur qeshë në Elbasan; më thanë në Manastir, se, si ata vetë nuk e dinë të ketë pasur atje dorëshkrime..
Gjeta dhe do dorëshkrime të një mësuesi, Dhimitri Andrea Pina, i cili, përpara disa vjetëve, kishte vdekur në një moshë prej 27 vjetësh. Ky shkruante me alfabetin e Frashërit, po edhe me alfabetin e vjetër të Elbasanit. Pina ka përkthyerë disa biseda kishe, do copëza prej klasikëve latine, disa këngë kishe nga greqishtja; ka një pjesë të gramatikës shqipe me dialektin e Elbasanit dhe një copë të një fjalori shqip. Unë këta fragmente i ruanj, dhe dëshëronj që t’i shtyp një herë…
Në mes tjerëve dorëshkrime gjeta në Elbasan edhe një letër më të motshme, të shkruar me alfabetin e Elbasanit, faqe 55 dhe 56, d. m. th. se ka qenë një dorëshkrim mjaft i math dhe i shkruar fort bukur. Kallogjeri më thoshte se, ky dorëshkrim i kësaj faqje do të jetë padyshim ose i Thodhërit vetë, apo i igumenit të Manastirit Shën Gjon, nxënësit të Thodhërit.
Kam disa dorëshkrime, këngë kishe, të përkthyeré prej greqishtesë, me tri reshta: i pari resht është shkruarë greqishtja e motshme, i dyti resht me greqishten e re, dhe i treti është përkthimi i këtyre me shkronjat e vjetra të Elbasanit. Duke i studijuarë këtó, gjeta se i ngjan shumë dorëshkrimi i greqishtes së re shkrimit të vjetër të Elbasanit.
E kështu m’erth për dore të shkruajë përmbi këtë çështje në të përkohëshmen e madhe të Akademisë së Diturivet, të Vjenës “Anzeiger der philosph, histori, Classe der Akademie der Wissenschaften. Wien, Jahrgang 1901, Nr. IX. faqe 30” duke i rrëzuar të tëra theoritë e përparëshme, dhe duke thënë se, alfabeti i vjetër i Elbasanit është alfabeti greqisht i kursit të shekullit XVIII, i stilizuar individualisht. Më duket se ky mendim është pranuar kudo në radhët e të diturve”.
Mid-hat Frashëri, 1 Nëntor 1926
“Për shkrime të harruarë dhe të paditurë”
U huazua nga: Albanian Digital Archives and Collections.