Mijëra libra antikë nën baltë në rajonin e Emilia Romagna
26 Maji 2023
Jo vetëm emergjencë njerëzore, jetike, ekonomike, sociale, por dhe një emergjencë kulturore ka shkaktuar fatkeqësia natyrore në rajonin e Emilia Romagna në Itali, ku 15 persona humbën jetën e dhjetëra qyteza janë ende nën ujë nga reshjet e dendura të shiut e rrëshkitjet e dheut që shkaktuan daljen nga shtrati të 23 lumenjve dhe evakuimin e 23 mijë banorëve.
Kjo pasi emergjeca natyrore ka vënë nën rrezik me mijëra libra antikë të ruajtura në bibliotekat e në institutet fetare të këtij rajoni.
Librat antikë dhe të epokës së viteve 1500 kanë përfunduar nën baltë dhe ujë, e janë rekuperuar nga grupet e vullnetarëve e banorëve.
Nën këshillimin e ekspertëve e vetmja mënyrë për shpëtimin e tyre është ngrirja e menjëhershme e librave nën baltë e ujë, për t’iu nënshtruar më pas një procesi restaurimi.
Për këtë motiv kompania italiane e produkteve të ngrira “Orogel” ka vënë në dispozicion gratis një mega dhomë frigoriferike me temperaturë -25 gradë.
Të gjithë librat janë transportuar në një nga fabrikat më të afërta të kësaj kompanie, në territorin e Cesena-s.
Për mediat italiane, Presidenti i kësaj kompanie Bruni Piraçini shprehet se e bëjnë këtë proces falas për të mirën e komunitetit.
“Dhomat tona frigoriferike -25 C zakonisht përdoren për të ruajtur produkte ushqimore të ngrira, por me habi mësuam se janë të dobishme dhe për ruajtjen e restaurimin e materialeve të tjera sic janë librat. Pranuam kërkesën e bërë nga Ministria e Kulturës dhe u organizuam për rezervimin e disa magazinave tona në Cesena. E bëjmë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore”, u shpreh ai.
Librat e tesktet antike të përfunduara nën ujë e baltë kanë një vlerë të pastimueshme kulturore e historike e procesi i shpëtimit të tyre përrmes ngrirjes quhet krioterapi.
Librat futen në qese plastike e nis procesi i ngrirjes që con në ngurtësimin e ujit e baltës që kanë thithur faqet e tyre. Ndërsa më pas kalohet në një proces tjetër për rekuperimin e restaurimin e librave.
Nga Alba Kepi