Mijëra palestinezë ndalohen të shkojnë në shtëpitë e tyre, Izraeli: – Hamasi shkeli kushtet e armëpushimit!
26 Janar 2025
Mijëra palestinezë të zhvendosur janë penguar të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës, pasi Izraeli bllokoi një rrugë kryesore, duke akuzuar Hamasin për shkeljen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.
Mosmarrëveshja erdhi pasi Hamasi liroi katër ushtarë izraelite – dhe Izraeli liroi 200 të burgosur palestinezë.
Por qeveria izraelite tha se banorët e Gazës nuk do të lejohen të udhëtojnë në veri derisa të zbatohen planet për lirimin e Arbel Yehud, për të cilën Hamasi ka këmbëngulur se është gjallë dhe do të lirohet javën e ardhshme.
Sipas marrëveshjes, Hamasi duhej të lironte civilët para ushtarëve.
Të shtunën në mbrëmje, ndërsa turmat u mblodhën përgjatë rrugës al-Rashid në qendër të Gazës për t’u kthyer në shtëpi, thuhet se u qëlluan me armë zjarri.
Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar ministrinë e shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, dhe mediat palestineze raportuan se një person ishte vrarë dhe disa të tjerë ishin plagosur.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se trupat në Gaza qendrore kishin qëlluar pasi u identifikuan disa grumbullime të dhjetëra të dyshuarve që përbënin kërcënim për forcat.
“Ndryshe nga raportimet e orëve të fundit, të gjitha të shtënat në zonë janë kryer për qëllime distancimi dhe jo për dëmtim. Theksojmë se deri në këtë fazë nuk dihet të ketë pasur lëndime tek të dyshuarit si rezultat i të shtënave”, thuhet në reagim.