23 Tetor 2023

Zëvendëskryeministri i Serbisë tha se pajisjet ushtarake kineze kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, posaçërisht në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe me dronë.

Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Milosh Vuçeviç, i cili është edhe Ministër i Mbrojtjes i Serbisë në një intervistë për mediumin e kontrolluar nga shteti Global Times, që u botua të dielën.

Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.

Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me “mikun e çeliktë” Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj. Ministri Vuçeviç tha se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe fluturaket pa pilot CH-95 dhe CH-92A, janë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia.

Vendi ballkanik shfaqi raketat tokë-ajër të prodhuara nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi, në prill të vitit të kaluar. Në vitin 2019 Serbia bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot. Ajo e mori sistemin vitin e kaluar. Tensionet kanë qenë të larta në muajt e fundit midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.

Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën. Ministri Vuçeviç tha se Serbia do të rrisë aftësitë e saj për të mbrojtur pavarësinë, por nuk shpjegoi nëse do të merrte më shumë pajisje ushtarake kineze. Megjithatë, ai tha se ishte i sigurt që të dyja vendet do të zhvillonin marrëdhëniet e tyre, pasi Kina ishte një nga miqtë “më të besueshëm” të Serbisë.

Gazeta Dita