Mimi Kodheli kërkoi që qeveria të bëjë transparente shpërndarjen e të ardhurave që vijnë nga taksa e qarkullimit.
Rruga e Kombit: Kush janë deputetët e PS që mbështesin banorët e Kukësit. –
Protesta që i vuri zjarrin tarifimit të Rrugës së Kombit solli një përshtjellim qëndrimesh në radhet e mazhorancës.
Duke filluar që nga kryeministri, i cili dy ditë më parë kërkoi ndjesë se nuk ishte konsultuar paraprakisht me qytetarët e Kukësit për vendosjen e taskës së Rrugës së Kombit e deri tek zëra të veçantë të PS-së që si rrallë herë nuk janë rreshtuar pas kryetarit.
I pari ishte Erion Braçe, i cili pak ditë më parë në një nga mbledhjet e komisionit të Ekonomisë, i tha drejtpërdrejtë ministrit Arben Ahmetaj se duhet të rishikonte taksën për banorët e Kukësit.
“…Banorët duhen të përjashtohen nga pagesa e asaj tarifës, që do të thotë që banorët e zonës për shkak të mungesës së një rruge dytësore, që agai i ka ndërtuar në këtë vend nuk janë shoqëruar fare me rrugë dytësore, po për shkak se në këtë zonë fshatrat janë ndarë në mes dhe nuk ka as mbikalime as nënkalime, dhe banorët e zonës për të shkuar në shtëpinë e tyre duhet të hynë të dalin qoftë për 2-3 km duhen përjashtuar nga tarifa. Doja të dija nëse ju po i mëshoni kësaj pike apo jo…”, pyeti Braçe me tone të larta.
Vetëm pak ditë më pas, një tjetër zë brenda PS-së kërkon ndryshimin e tarifave. Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu i ftuar në Fax News tha se tarifa për banorët e Kukësit duhet të ulet.
Ai mbështet vendimin e gjykatës për 23 të arrestuarit me argumentin se kush kryen akte të dhunshme duhet të përgjigjet para ligjit. Megjithatë, tarifimi për banorët e Kukësit sipas tij duhet negociuar.
Edhe deputetja e zonës, Mimi Kodheli i ka bërë thirrje qeverisë që jo vetëm të rishikojë tarifat e Rrugës së Kombit në favor të kuksianëve, por edhe të investojë në rrugën e vjetër të Kukësit.
Deputetja e PS për qarkun e Kukësit, tha në Kuvend se hapja e rrugës do të jetë një alternativë për banorët.
Ajo (Mimi Kodheli) gjithashtu kërkoi që qeveria të bëjë transparente shpërndarjen e të ardhurave që vijnë nga taksa e qarkullimit.