Ministri i Jashtëm i Turqisë: – Ankaraja po punon për zgjatjen e marrëveshjes, për eksportimin e drithërave nga portet e bllokuara nga Rusia
5 Mars 2023
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ankaraja po punon shumë për të zgjasë nismën e mbështetur nga OKB-ja, që i ka mundësuar Ukrainës të eksportojë drithëra nga portet e bllokuara nga Rusia, pas nisjes së pushtimit.
Nisma për drithërat në Detin e Zi, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e kaluar, lejon eksportet nga tri porte ukrainase.
Marrëveshja u zgjat deri në nëntorin e vitit të kaluar, por skadon më 18 mars, nëse palët nuk arrijnë pajtim për zgjatjen e saj.
“Ne po punojmë fort për zbatimin dhe zgjatjen e mëtejme të marrëveshjes për drithërat në Detin e Zi”, tha Cavugoslu gjatë konferencës për shtetet e zhvilluara të OKB-së, që po mbahet në Doha të Katarit.
Po ashtu, kryediplomati i Turqisë tha se për zgjatjen e kësaj marrëveshjeje do të diskutojë edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Më herët gjatë kësaj jave, Rusia tha se do të pajtohej për ta zgjatur marrëveshjen për drithërat vetëm nëse interesat e saj për prodhimet e agrikulturës merren në konsideratë.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe ka bllokuar portet në Detin e Zi, që janë vitale për eksportet e drithërave. Rusia dhe Ukraina janë ndër prodhueset më të mëdha në botë të drithërave. /REL