Ministri Klosi promovon nudizmin në plazhe: Janë të mirëpritur çdo vit në Shqipëri
Ministri Klosi promovon nudizmin në plazhe: Janë të mirëpritur çdo vit në Shqipëri
8 Shtator 2019
Ministri i Turizmit Blendi Klosi, përmes një statusi në faqen e tij në facebook ka promovuar atë çfarë ndodhi disa ditë më parë në zonën e plazhit të Vilë Bashtovës.
“Vilë Bashtova, arena e festës dhe e pushimeve ndryshe për mijëra të rinj nga bota! Të impresionuar nga mikpritja dhe bukuria e plazheve shqiptare ata premtojnë se do të rikthehen sërish për festën e radhës! #smilealbania, shkruan Klosi.
Po çfarë ndodhi në këtë plazh? Në fakt ishte një gjë, që shqiptarët nuk e kanë edhe fort për praktikë. Lakuriq, duke notuar, ose duke bërë shëtitje në brezin e rërës. Nudo në mes të ditës në një vend publik. Kjo ndodhi në plazhin e Vilë Bashtovës në grykëderdhjen e Shkumbinit. Ata të rinj, kryesisht italianë, as që donin t’ia dinin dhe as nuk shqetësoheshin nga askush. Madje, bënin edhe seks në grup.
Një numër i madh rulotash ishin ndalur në Vilë Bashtovë prej më shumë se dy javë, ku të rinjtë përveç të shfaqurit nudo dhe seksit përdornin edhe drogë, sepse shenjat ishin kudo. Shiringat dhe një tub ishin prova e zbuluar nga grupet e xhirimit që fiksuan këtë plazh në objektivët e tyre.
Në fakt, aty ku ishin këta të rinj nga disa vende për seks, drogë dhe muzikë nuk ishte asnjë pushues vendas. Në Vilë Bashtovë plazhi është braktisur nga vendasit. Zona tani u përket pushuesve nudo për seks, drogë dhe muzikë.
Por kjo që ndodhi ka shërbyer që ministri Klosi ta vlerësojë dhe t’u thotë të rinjve se janë çdo vit të mirëpritur.
Gazeta Shqip