– Ministria e Jashtme thirrje gazetarëve: Dorëzoni pasaportat e shërbimit
“Në rast moszbatimi do jemi të detyruar të…”- Ministria e Jashtme thirrje gazetarëve: Dorëzoni pasaportat e shërbimit
6 dhjetor 2019
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe gazetarëve, që të dorëzojnë pranë këtij institucioni pasaportat diplomatike.
Në njoftimin për shtyp kërkohet që gazetarët që janë pajisur me pasaporta shërbimit të vlefshme, duhet t’i dorëzojnë ato pranë MEPJ-së, në të kundërt Ministria e Jashtme do të jetë e detyuar të marrë masa, duke i nxjerr ato të pavlefshme.
“Kërkesë drejtuar mediave për dorëzimin e pasaportave të vlefshme biometrike të shërbimit që posedojnë punonjësit e tyre
Në bazë të VKM nr. 389, datë 12.06. 2019, «Për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit », njoftojmë punonjësit e mediave në vend, të cilët janë të pajisur me pasaporta biometrike shërbimi të vlefshme, të kryejnë menjëherë dorëzimin e tyre, në përputhje me VKM e sipërcituar.
Në rast moszbatimi të udhëzimit për dorëzim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të jetë e detyruar që, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 389, datë 12.06.2019 «Për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit », pika 5, 6 dhe 7, t’i nxjerrë të pavlefshme këto pasaporta.
Dorëzimi i dokumentit do të kryhet pranë MEPJ, në Drejtorinë e Çështjeve Konsullore, me qëllim që të vijohet me procedurën e brendshme”- thuhet në njoftimin e MEPJ.
Gazeta Panorama