Ministria e Kultures fshin nga lista e monumenteve banesën e Kuqit në Krujë
Ministria e Kultures fshin nga lista e monumenteve banesën e Kuqit në Krujë
Prill 2022
Xhevat Gjata më pret te shkallët e bashkisë, si pikë orientimi kyçe në Krujë. Të dy drejtohemi drejt lagjes Sesere, aty ku gjendet kulla 200-vjeçare, e njohur si “Shtëpia e Gani Kuqit”.
Që prej rrugicës mund të shquash fasadën e dekoruar me motive floreale. Godina ka qenë pronë e dy vëllezërve dhe është ndërtuar nga Idriz Bejtekuqi, një nga tregtarët më të pasur të kohës. E konceptuar për të akomoduar një familje të madhe me dy vëllezër, shtëpia është mjaft e gjerë, e organizuar në dy kate dhe tre hyrje të veçanta, dy prej të cilave sot nuk janë funksionale.
Liri Kuqi, një nga trashëgimtaret dhe bashkëshorti i saj Xhevati janë dy personat e vetëm që me vështirësi përpiqen ta mirëmbajnë këtë shtëpi.
“Ka qenë shumë e bukur, shumë e mirë, tashti dita që po vjen kjo po shkatërrohet, shiu na hyn i gjithë brenda…”, shprehet Liri Kuqi.
“Shtëpia u shpëtua nga tërmeti i 1979, por u harrua pas atij të 2019”
Xhevati tregon se shtëpia u godit nga tërmeti i vitit 2019 dhe është klasifikuar në shkallën DS4, por asnjë riparim nuk është bërë nga strukturat përgjegjëse.
“Shkova te Instituti i Monumenteve, për t’i thënë që ‘skam më takat, as pare dhe as moshë për ta mirëmbajt. Hapën letrat, po më thanë, ka qenë monument, tani nuk është më“, tregon Xhevati.
Përfaqësues nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IKTK), të kontaktuar nga Citizens Channel, dhanë një version krejtësisht tjetër të ngjarjes nga ajo që shpjegon Xhevati. IKTK u shpreh se kjo banesë nuk ka pasur asnjëherë status mbrojtje, ndaj marrja e masave për riparimin nuk është kompetencë e këtij institucioni. Dokumentat historike dhe dëshmitë e ekspertë pohojnë të kundërtën.
“Unë mbaj mend që kam bërë dy herë projekte për restaurimin e saj. Ishte monument kulture patjetër sepse nuk mund të ndërhynte Instituti për të bërë punime po mos të ishte monument kulture”, tregon Arkitekti Latif Lazimi.
Një Relacion Teknik i vitit 1979, tregon se shteti shqiptar ka shpenzuar 3,131 lekë për rikonstruksionin e Banesës Kuqi. “Ruhet si variant tipik i banesës së zhvilluar qytetare, monument i kateg. së parë”, thuhet në dokument i cili provon restaurimin e godinës pas tërmetit që goditi Shqipërinë në vitin 1979.
IKTK u shpreh se as në arkivin e institucionit nuk ekziston një kartele pasurie kulturore për këtë banesë. Citizens Channel ka siguruar një tjetër dokument, ku flitet për një ndërhyrje të dytë ne Banesën Kuqi.
“Mesa di unë para 10 viteve që jam larguar unë nga Shqipëria banesa ka qenë monument kulture”, shprehet arkitekti Lazimi.
Në vitin 1986, Lazimi ka qenë preventivues i një ndërhyrje të dytë për restaurim nga sektori i Qendrave Historike të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Relacioni Teknik përsërit edhe një herë se banesa ka statusin Monument Kulture i Kategorisë I, duke shpjeguar se pas ndërhyrjes së parë, në atë vit po restaurohej qendra e banesës dhe qoshku karakteristik.
“Dy të moshuar mbajnë në këmbë monumentin e kulturës”
Pas internimit në Burrel në fundin e viteve 70 Xhevatin e dëbojnë nga qyteti i lindjes Kukësi dhe ai vendoset në Krujë, ku njihet me Lirinë, që prej atëherë ata janë të vetmit që do të kujdesen për banesën historike.
“Kjo ka mbet në mëshirën time, më shumë në kujdesin tim personal, që mos ta lë të shembet dhe t’i mbetet Krujës një monument kulture se kjo nuk vlen për banim, nuk është se po të merr malli me banue në shpia kaq të vjetra, por këtu kupton sesi ka jetu një krutan para 150 vjetëve”, rrëfen Xhevat Gjata.
Si pasojë e degradimit shtëpia po humbet elementët dekorativë, tavanin e drunjtë, çardakët.
“Familja që jeton aty janë dhe patriotë, në kuptimin jo vetëm që e kanë ruajtur shtëpinë e tyre, pasi pas viteve 90 mund të ketë pasur edhe tendenca për të bërë ndërtime, ata kanë qëndruar korrekt, me dëshirën për ta ruajtur banesën e tyre”, shprehet arkitekti Lazimi, i cili shton se banesa duhet të restaurohet përsëri pasi është rast unik jo vetëm për qytetin e Krujës por edhe për arkitekturën popullore shqiptare.
Jo vetëm pronarët e shtëpisë por edhe fqinjët përreth konfirmojnë mungesën e interesit dhe investimeve institucionale.
“Sa vjen dhe degradohet. Na vjen shumë keq, gjithë bota monumentet i ruan me fanatizëm, ne po i shkatërrojmë. Po shkatërrohen edhe vilat e vjetra në Tiranë jo më nëpër rrethe“, thekson Arben Leka, banor prej 20 vitesh në zonë.
Gazeta Dita