Ministria e Mbrojtjes: – Ja qarqet që do preken më shumë nga reshjet e shiut
21 Nentor 2024
Reshje të dendura dhe intensive priten gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të Shqipërisë. Gjithashtu bëhet me dije se të premten, më 22 nëntor, qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan do të përballen me reshje të intensitetit të lartë. Ndërsa në qarqet e tjera të vendit, reshjet do të jenë mesatare, por mund të arrijnë nivele të intensitetit të lartë.
Po ashtu për shkak të kushteve të motit të pafavorshëm, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të Mbrojtjes Civile dhe institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, rrugët, furnizimin me energji dhe ujë, si dhe monitorimin e nivelit të lumenjve.
Njoftimi i plotë:
Mot me reshje të dendura pritet gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të vendit. Bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan. Në qarqet e tjera priten reshje mesatare, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në nivelin “intensive”. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe të institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.
AKMC u bën thirrje prefekturave dhe bashkive të mobilizojnë strukturat për menaxhimin e emergjencave civile dhe të monitorojnë situatën në zonat me rrezik më të lartë.