Minjtë e portaleve ose mjeranët anonimë. –
Minjtë e portaleve ose mjeranët anonimë. –
Nga: Fatos Tarifa
-Njerëz të palexuar, fare pak të ditur dhe, si të tillë, pa një mendim racional e kritik të zhvilluar. Ata i tremb dituria e të tjerëve……
Subjekti i këtij komenti të shkurtër është jo i zakontë. Kam dashur të shkruaj edhe më parë rreth tij, por jam tërhequr, kryesisht duke dëgjuar këshillat e shokëve të mi, të cilat, thuajse në çdo rast, nënkuptonin, ose thonin këtë gjë: “Pse merresh me ta. Derrat të gjithë një turi kanë”.
Por ja që, jo çdo këshillë, sado dashamirëse të jetë, e dëgjojmë dhe, ndonjëherë, vendosim të veprojmë ndryshe nga ç’na këshillojnë ata që na duan. Pra të merremi edhe me “derrat”. Sepse ata, në kontekstin për të cilin shkruaj, përfaqësojnë një të keqe. Edhe pse e keqja gjendet kudo e në çdo gjë që bëjmë, kjo është një e keqe që e dëmton mendimin e lirë dhe lirinë e shprehjes, të cilat për mua, si për shumë nga ju, janë ndër vlerat dhe virtytet humane më të çmuara.
***
Shpeshherë e keqja merr formën e intrigës, të keqbërjes, të shantazhit, të shpifjes, të sharjes. Por nëse heshtim, së keqes nuk i shpëtojmë dot; ajo është një sëmundje që infekton—si vetë kolera. Nëse heshtim, së keqes i bëjmë nder, sepse tregojmë dobësinë dhe frikën tonë ndaj saj dhe kështu e inkurajojmë të keqen, i hapim rrugë, e tolerojmë, i mundësojmë të dëmtojë më shumë njerëz të ndershëm dhe kauza të rëndësishme.
Fjalën e kam për një pjesë të madhe të atyre njerëzve që s’dinë e s’bëjnë gjë tjetër veç të shkruajnë komente vulgare për çdo artikull ose intervistë që botohet në gazetat tona. Çuditërisht, shumë nga këto gazeta i lejojnë komente të tilla në faqet e tyre online. A thua se me këtë bëhen më të lexuara, ose rrisin tirazhet e tyre, që bien nga viti në vit. Ose, a thua, këtë e bëjnë në emër të demokratizimit të sferës publike dhe të medias si pjesë e saj.
***
Natyrisht, ka shumë qytetarë dhe lexues të informuar që shkruajnë komente konstruktivë dhe interesantë për një pjesë të shkrimeve që lexojnë në shtypin tonë të përditshëm. Komentet e tyre janë të mirëpritur dhe mund të jenë me interes për autorët dhe për lexues të tjerë. Fjalën nuk e kam për këtë kategori njerëzish, të cilët, portalet online i shohin si një mundësi për t’i kontribuar debatit publik, jo si një mjet për të helmuar mjedisin shoqëror.
Fjalën e kam për një kategori tjetër njerëzish, që shtysë kanë të tjera motive. Ata janë, përgjithësisht, intelektualofobë, njerëz të palexuar, fare pak të ditur dhe, si të tillë, pa një mendim racional e kritik të zhvilluar. Ata i tremb dituria e të tjerëve.
Çuditërisht, një pjesë të tyre as i kemi njohur ndonjëherë, as ua kemi parë fytyrën, as ua kemi dëgjuar zërin ose emrin. Njerëz të tillë janë tërësisht anonimë. Madje, edhe kur shkruajnë komente e shajnë me libër shtëpie, ata fshihen pas një identiteti të rremë, pas një emri të paqenë, si njerëz kufoma, që s’kanë një identitet ose një jetë të tyren.
Një numër jo i vogël syresh kanë maninë, ose vesin që të komentojnë çdo shkrim që botohet në gazetat tona online. Ky është “zanati” i vetëm i tyre; kjo është e vetmja gjë që dinë të bëjnë. Dhe këtë e bëjnë pa pagesë (dikush më ka thënë se ka prej tyre që edhe paguhen për këtë lloj shërbimi, si hafijet e kohës së komunizmit, dhe ndoshta edhe mund ta besoj).
***
Ajo çfarë të bën përshtypje është se shumë nga këta njerëz komentojnë shkrimet e të tjerëve pa i lexuar ato, ose pa i kuptuar nëse i lexojnë. Sepse leximi është një punë tepër e lodhshme për ta, një torturë e vërtetë, një punë që i mundon dhe i mërzit, siç i ka munduar e mërzitur edhe kur kanë qenë nxënës shkolle. Për ta nuk ka asnjë rëndësi se ç’thotë ky ose ai autor; mjafton fakti që shumë njerëz shkruajnë për të merituar urrejtjen e tyre.
Nuk ka rëndësi nëse ata që shkruajnë e botojnë në shtypin e përditshëm janë shkrimtarë, historianë, sociologë, mësues, artistë, mjekë, inxhinierë, profesionistë në fushat e tyre; këta të gjithë kanë kurajën të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre për çështje që i dinë, ose për ngjarje që i njohin. Pikërisht këtë fakt e urrejnë një pjesë e madhe e anonimëve të portaleve online të gazetave tona, sepse ata jetojnë në terrin e paditurisë së tyre dhe çdo dije e re, ose çdo mendim i lirë u vret sytë dhe i tërbon.
Ngaqë njerëz të tillë janë të paditur dhe krejtësisht të pajetë në shpirt, të mjeruar në mënyrën si jetojnë, shumë herë të papunë, pa vullnet, pa aftësi, pa dëshira, pa motive, pa dashuri dhe pa qëllime në jetë, ata plaken e verbohen para ekranit të kompjuterit, si djaj a buburreca, që kënaqësinë e vetme të ditës e gjejnë duke u marrë me njerëz realë, që dinë përse shkruajnë dhe kanë kurajën të thonë publikisht atë që mendojnë.
Këta njerëz të vrerosur mëtojnë në errësirë, si minjtë e kanaleve, fshehur nga publiku, nën emra të sajuar, shpeshherë qesharakë, ose absurdë si vetë qenia e tyre: patrioti, krishti, mullixhiu, orgazma, salepi, kryqi, gazepi, lumi, palla, pellazgu. Njerëz pa din e pa iman. Njerëz që vetëm urrejnë këdo që s’është si ata, por urrejnë edhe veten e tyre.
***
Njerëzve të tillë u them: Shani, o mjeranë, shani! Nëse me “komentet” tuaja, që disa gazeta për turpin e tyre i lejojnë të postohen në faqet online, ju duket vetja se merrni ndonjë vlerë, se bëheni më të ditur, se kontribuoni edhe ju në debate publike, shani! Veç, të paktën, thoni edhe ndonjë gjë që bën kuptim, kundërshtojeni çdo gjë që thonë të tjerët, por jepni edhe ju vetë një argument tuajin, jo vetëm sharje me soj e sorollop. Dhe kini kurajën ta nxirrni fytyrën tuaj sheshit, sido që të jetë ajo, e t’i thoni publikut ç’emër keni, sa gramë shkollë keni bërë dhe ç’keni bërë e ç’bëni për të mirën publike të këtij vendi.
***
Unë vetë e kam bërë me kohë zgjedhjen time në jetë dhe atë e kam deklaruar hapur: Gjithnjë do të kërkoj të zbuloj thelbin e çështjes dhe ta kuptoj atë duke vënë në punë mendjen time, jo të dëgjoj ç’thonë të tjerët, qofshin këta edhe autoritete. Dhe të zbulosh thelbin e çështjes është njëlloj si të shkosh në front në kohë lufte. Është e rrezikshme, e di, por kjo është e vetmja rrugë drejt së Vërtetës. Dhe e vërteta jo vetëm na bën të lirë, e vërteta na mban të lirë!