Mira Kuçuku/ Rezistencë me art në hollin e teatrit.

12.09.19

Nga: Gazeta Shqiptare

Në mbyllje të ekspozitës së skulptores Mira Kuçuku, organizuar në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit. Mbeta e mrekulluar nga teknika e bukur e punimeve të saj dhe uroj të shoh edhe më shumë, pse jo në një vizitë në studion e saj”.

Autorja Lindita Komani e përshkruan kështu ekspozitën e artistes Mira Kuçuku, në hollin e Teatrit Kombëtar që prej datës 24 korrik, menaxhohet nga artistët që e mbrojnë nga shembja. Në 1 muaj e gjysmë, këta kanë organizuar 14 evente kulturore në këtë teatër e një prej tyre ishte edhe ekspozita e Kuçukut, që si gjithë të tjerët ka ardhur në mënyrë vullnetare.

Sipas Komanit, Festivali për Mbrojtjen e Teatrit, pavarësisht se i zhvilluar me kontribut vullnetar, pa buxhet e me shumë spontanitet e pse jo dhe improvizim deri në çastin e fundit kur performohet, po e bën për qytetarët më të prekshëm artin e procesin nëpër të cilin ai kalon deri te shikuesi. “Pa asfare tepri mund të pohoj:
Si lum kush është pjesë e kësaj rezistence dhe e gjithë këtij përjetimi sa individual aq edhe mbarëshoqëror, artistik e njerëzor! Është tepër e rrallë që artisti e shikuesi të jenë kaq pranë e pranë. Si lum kush ndër artistët arrin ta kuptojë këtë e ta kapë në ajër mundësinë e bukur që është aty e pret pikërisht për artistët që të bëhen të gjallë”, vëren Komani. Ajo u bën thirrje artistëve të tjerë të bëhen pjesë të një zhvillimi unik në artin bashkëkohor shqiptar.

   

Sipas autores, rezistenca me art është gjëja më e vlerë që mund t’i ndodhte qytetit tonë. “Për mua ky qytet e fitoi me meritën e vet e jo me vullnet politik, titullin kryeqytet me rivendosjen e shkronjave në fasadën e Teatrit Kombëtar. E prej asaj dite, me rezistencën e përshkallëzuar e këmbëngulëse, ky titull vetëm se i është forcuar dhe sot sërish pa asfare tepri, me meritë Tirana po ngjitet edhe më lart, për t’u kthyer në metropol europian kulture. Dhe kjo jo për meritë të gënjeshtrave patologjike të kryetarit të bashkisë, as për meritë të planeve plot urrejtje kryeministrore për zhdukjen e identitetit të tij, por me kontributin e qytetarëve. Ndoshta nuk jemi të ndërgjegjshëm për këtë, por ne jetojmë në kohën më të bukur të Tiranës qytet”, shkruan Komani në profilin e saj në “Facebook”.