Miroslav Lajçak: – Ne Ballkan gjendja është shumë më e keqe se 5 vite më parë
8 Tetor 2022
I dërguari i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, u shpreh sot se situata në Mal të Zi dhe në rajon është “shumë më e keqe” se pesë vjet më parë.
Ai tha se shkak për këtë situatë është bërë rënia e përkushtimit ndaj vlerave europiane.
Lajçak vlerësoi se edhe bashkëpunimi rajonal është më i keq se 5 vite më parë, duke shtuar se të gjithë treguesit tregojnë se nuk ka pasur vendosmëri dhe përkushtim për reformat, të cilat do e afronin këtë vend drejt BE-së, raportojnë mediat serbe.
“Edhe unë mbaj përgjegjësi. Nuk bëhet fjalë për faj, po e them të qartë, ky është vetëm një vëzhgim”, tha Lajçak.
“Rajoni nuk është në një gjendje të mirë dhe BE-ja dëshiron të tregojë se ne jemi seriozë dhe duam të tregojmë një shembull pozitiv të Ballkanit Perëndimor. Këshilla ime e sinqertë për rajonin, është që të fokusohet te përmbushja e detyrave që kërkon BE-ja”, shtoi Lajçak.
Lajçak tha po ashtu se anëtarësimi në BE nuk është dhuratë dhe se vendet duhet të ndërtojnë standardet evropiane në vend.
“Duhet të ndërtoni standarde evropiane në vendet, por edhe të zgjidhni çështjet dypalëshe”, tha përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Gazeta Sot