Mishi me brucelozë kontrabandohet në Shqipëri, ekspertët ngrenë alarmin: – Konsumi çon në sterilitet, invaliditet deri në humbje jete! – Çfarë duhet të keni kujdes
28 Qershor 2024
Sipas ekspertëve të shërbimit të veterinarisë, në rastin e kafshëve të infektuara, si në rastin e brucelozës, duhen zbatuar procedura strikte për therjen dhe konsumin e mishit, pasi ndryshe ato mund të kthehen në burime të forta infektimi.
Sipas Prof. Xhelil Koleci: “Mishi nga kafshët që rezultojnë pozitive me brucelozë, mishi i tyre jepet me kusht që të zihen mirë, pra nëse gatimi bëhet i mirë, me përpunim të mirë, edhe nëse është e kontaminuar, zierja e bën të sigurte produktin që vjen nga kafsha.”
Ligjërisht, në Shqipëri nuk është i ndaluar konsumi i mishit të infektuar me brucelozë. Por, sipas ekspertëve, kërkohet ndjekja e procedurave strikte të higjienës, edhe pse ekspertët e shëndetit publik janë skeptikë për zbatimin e procedurave sanitare. Sipas Dr. lir Alimehmeti, Epidemiolog: “Nqs mishi është i pakontrolluar, nqs bagëtia është e pakontrolluar, ky risk neve mund të na bjerë të gjithëve. Ne kemi mundësitë tona përmes gatimit të fortë, por kujdes!
Mund të na kontaminojë gjatë manipulimit të mishit, gjatë gatimit, në momentin që e premë. P.r.sh në të njëjtin vend që presim mishin dhe nqs pastaj shkojmë të gatuajmë, presim diçka atje, prsh sallata, ca gjëra që nuk gatuhen, risku është që bëjmë atë që quhet kryq kontaminimi.”
Megjithatë si mjekët veterinerë, edhe mjekët humanë bien dakord për pasojat e rënda në rast të infektimit të njeriut nga kjo sëmundje, nëse nuk respektohen kushtet sanitare.
Sipas Dr. lir Alimehmeti, Epidemiolog “Ne e fillojmë gjithmonë mjekësinë nga problemi më i rëndë dhe prandaj ne e nisim nga humbja e jetës. Nqs 5% shkon në humbje jete, nëse nuk trajtohet, tani këtu problemi është shumë më i lartë. Mund të shkaktojë edhe probleme të sistemit riprodhues.
Sipas Prof. Xhelil Koleci në Fakulteti i Mjekësisë Veterinare: “Është një sëmundje shumë e rëndë për njeriun! Personi i cili fiton brucelozën, mbetet i infektuar për të gjithë jetën dhe mund të ndodhin recidiva të sëmundjes, të cilat mund të shoqërohen me invaliditet të personit, në shkallë të ndryshme natyrisht dhe mund të ndodhin komplikacione që siç iu thashë, mund të sjellin edhe vdekjen!”.
Për “Vetting”, veterineri Myrtollari, që ka konstatuar rastin e këtyre gjedhëve, deklaron se ka zbuluar shumë raste të bagëtive që vijnë pa certifikata ose të pamatrikulluara, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, por edhe duke sjellë pasoja tek çmimi i këtyre gjedhëve në tregun vendas.
Për rastet e denoncuara nga veterineri, Baki Myrtollari dhe ish-drejtori Ozuni, Presidenti i Urdhrit të Shërbimit të Veterinarisë në Shqipëri, Ervin Resuli, deklaroi se është ngritur një grup investigimi. “Po intervistojmë dhe po mbledhim intervistat për të kuptuar se çfarë ka ndodhur konkretisht dhe ne deri në fund të qershorit duhet të dalim me një raport mbi këtë situatë, për të cilën do vëmë në dijeni së pari Këshillin Kombëtar dhe më pas të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet mbi këtë raport, të shohim se çfarë ka ndodhur konkretisht.
Ajo që bëjmë ne në përditshmërinë tonë është mbikëqyrja e standardit veterinar dhe legjislacionit veterinar. Pra, a janë kryer të gjitha procedurat gjatë kësaj procedure, konfiskimi i këtyre kafshëve?! A është ndjekur procedura ligjore? A kanë lëvizur të gjitha institucionet apo veterinerët që janë të përfshirë, a kanë bërë shkelje apo s’kanë bërë shkelje?”
Sipas mediave greke, grupet që organizonin fabrikimin e certifikatave false për matrikullimin e bagëtive, por edhe për procesverbalet e therjeve, në të paktën 11 raste kanë kryer shkelje për rreth 200 kafshë të gjalla, kryesisht gjedhë, por edhe bagëti të imëta. Këto bagëti dyshohet se janë trafikuar në rrugë të kalimit jo zyrtar kufitar.
Sipas Ervin Resuli, Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar: “Referuar ligjit të shërbimit veterinar, konkretisht nenit 9, pika 2, e thotë ekzaktësisht, që kafshët pa pronarë, të paidentifikuara, menjëherë bëhet asgjësimi i tyre. Pra, shërbimi veterinar që konstaton disa kafshë pa pronarë dhe pa origjinë, në rastin konkret siç mund të jenë kafshët e kontrabandës, në mënyrë të menjëhershme duhet të bëhet asgjësimi dhe groposja e tyre”.
Alarmi për çështjen e brucelozës, sipas mjekëve, lidhet edhe me faktin se pakujdesia në konsumimin e këtij mishi mund të ketë pasoja fatale deri në sterilitet për meshkujt.
Sipas Prof. Xhelil Koleci në Fakulteti i Mjekësisë Veterinare: “Tek meshkujt është më e rrezikshme për shkak se shkakton orkide dhe fatmirësisht pjesën dërrmuese të rasteve, këto lloj orkidesh janë të njëanshme. Nuk shkakton sterilitet të plotë, por shkakton sterilitet përgjysmë.”
Nga Armand Kullau
Nga Gazeta Panorama