Misionet arkeologjike franko-shqiptare. –
Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Muzeun Historik Kombëtar organizuan me rastin e Pranverës Frankofone në Shqipëri, konferencën me temë: “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”.
Fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, i cili ndër të tjera theksoi se: “Marrëdhëniet bashkëpunuese franko-shqiptare në fushën e arkeologjisë janë të hershme dhe se figura që ka luajtur rolin kryesor në themelimin e këtij bashkëpunimi, që shtrihet gjatë në kohë, është Leon Rey. Leon Rey, figurë emblematike në fushën e kërkimeve arkeologjike në Shqipëri. Kërkimet e para arkeologu dhe studiuesi francez i realizoi në Durrës, e më pas në Apoloni”.
Ambasadorja e Francës, znj. Christina Vasak, Ambasadore e Francës, bëri një panoramë të përgjithshme të misioneve aktuale arkeologjike franceze në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj ajo theksoi se: “Me rënien e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet 1993 – 1994, misionet e përbashkëta shqiptaro – franceze përfshijnë shumë qendra të rëndësishme dhe shtrihen në shumë periudha dhe fusha kërkimore. Së bashku me shkollën dhe institucionet shqiptare të arkeologjisë, shkolla franceze mbështeti kërkimin arkeologjik dhe propagandimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri”.
Gjatë seancës së parë me temë “Apolonia e Ilirisë” referuan kumtesat e tyre: Stéphane Verger, Profesor në Ecole Pratique des Hautes Etudes, Drejtor i Laboratorit “Arkeologjia dhe Filologjia e Lindjes dhe Perëndimit” dhe prof. asoc. Belisa Muka, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë. Gjatë seancës me temë “Sovjan dhe Kallamas, pellgu i Korçës” referuan: Cécile Oberweiler, Kërkuese shkencore e asociuar Protohistoria e Egjeut dhe prof. Petrika Lera, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë. Në seancën me temë “Lugina e poshtme e Drinit (Lezha, Komani, Sarda)” referuan Etleva Nallbani, Arkeologe për Mesjetën dhe dr. Elvana Metalla, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë. Në seancën me temë “Dyrrachium (Durrës)” referuan Catherine Abadie Reynal, Profesore për arkeologjinë greke dhe Prof. Asoc. Eduard Shehi, Instituti i Arkeologjisë Tiranë. Ndërsa, Jean-Michel Follin, Profesor, Ecole Supérieure de Géomètres et Topographes (ESGT-CNAM), Le Mans bëri një prezantim mbi të dhënat zyrtare të GIS të misionit të Durrësit.
Në fund gjithë të pranishmit vizituan ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar.