20 Mars 2025

Edi Rama, Kryeballisti i kohëve moderne.

Si po investohet për ta quajtur luftë civile rezistencën kundër okupatorit nëpërmjet instituteve të mbushura me sharlatanë, strategjia e njeriut që ka zëvendësuar pulat me biftekët 10 mijë euro dhe verë 33 mijë dollarë shishja

Në një moment të trishtuar për historinë e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, për të cilin nuk ka më dyshim se është bërë Kryeballisti i kohëve moderne, ka vënë në pikëpyetje gjithçka që përfaqëson Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ). Pavarësisht pozicionit të tij si lider i një qeverie, që dikur mburrej me angazhimin ndaj vlerave kombëtare, ai sot është përpjekur të zbrazë dhe ta shndërrojë luftën e shenjët partizane në një “luftë civile”, të mbështetur nga Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit (ISKK), që drejtohet nga një tjetër pinjoll i ballistëve, Çelo Hoxha.

Ky sulm i koordinuar është një fyerje e hapur ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Por kjo është vetëm një pjesë e strategjisë së një njeriu që ka shpërfillur çdo normë historike, duke u munduar të ndryshojë rrënjësisht narrativën. Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë investuar në mbështetje të sharlatanëve, të cilët kanë përdorur institucionet duke u përpjekur të rishikojnë historinë dhe për të “rehabilituar” ata që bashkëpunuan me pushtuesit. Ky veprim ka si synim shpërfytyrimin e vlerave të LANÇ dhe shenjës së Dëshmorëve, duke u përpjekur ta quajnë Luftën Antifashiste një luftë civile, me qëllim për të fshirë krenarinë e shqiptarëve për heronjtë e saj.

Urrejtja ndaj luftës partizane

Mirëpo këto sulme që Rama i ka mbështetur me instiktin e një ballisti modern, kanë shpërfaqur një pafytyrësi të paprecedentë të tij edhe pse i madh e i vogël e di që ai ka shfaqur urrejtje ndaj luftës partizane qysh në fillim të viteve ’90 përmes librit “Refleksione”. Përderisa nuk ka mbajtur asnjë fjalë respekti për veteranët e LANÇ dhe Dëshmorët e Shqipërisë, Z. Rama ka ndihmuar që të rehabilitohet miti i ballistëve, duke promovuar figura të kontestuara si Mit’hat Frashëri, të cilët akuzohen se kanë ndihmuar pushtuesit nazifashistë. Dhe e gjitha kjo është bërë nën mbështetje direkte të Kryeministrit, i cili, gjatë një ceremoni në vitin 2018, iu referua Frashërit si “njeri me vlera kombëtare”, një akt që mund të quhet vetëm një fyerje për çdo shqiptar që ndien krenari për Luftën e Dytë Botërore dhe heronjtë e saj. Për fat të keq, ky udhëheqës ka dëshmuar se nuk ka asnjë lidhje me idealet që dikur e bënin një lider të besueshëm.

Misioni i tij është i thjeshtë dhe antishqiptar: ta shkatërrojë përfundimisht çdo kujtim të luftës që u bë për të çliruar këtë vend nga okupatorët, duke e shndërruar atë në një të ashtuquajtur “luftë civile”. Por, në të vërtetë, ajo që Rama dhe bashkëpunëtorët e tij po bëjnë, është të hedhin baltë mbi histori dhe sakrificën e atyre që i dhanë jetën Shqipërisë. Edi Rama, i cili në vitin 2013 kishte premtuar përkujdesje për ata që dhanë jetën në LANÇ, është sot njeriu që e përbalt këtë luftë. Për më tepër, i ka përdorur fondet publike për të financuar veprime që minojnë çdo respekt për ata që dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë. Prej tij, shohim vetëm premtime të zbrazëta dhe një qëndrim përçmues për trashëgiminë kombëtare. Lufta për të mbrojtur historinë e Shqipërisë është një betejë që çdo shqiptar e ka të shenjët, dhe ky njeri që sot është në krye të qeverisë, ka bërë gjithçka për ta pastruar nga çdo vlerë.

Mesazhi

Megjithatë nëse një ditë historia do të ndalojë për të analizuar këtë periudhë, ajo do të kujtojë se një njeri i quajtur Edi Rama, në emër të të majtës dhe të djathtës, përdori çdo mundësi për të dëmtuar më shumë se çdo tjetër luftën më të shenjtë që kombi shqiptar ka pasur. Si Kryeministër i Shqipërisë, ai jo vetëm që ka dështuar të nderojë ata që luftuan për lirinë, por është bërë vegël e atyre që bashkëpunuan me pushtuesit, duke e kaluar historinë në një përpjekje të shëmtuar për të ndarë kombet, për të fshehur të vërtetën dhe për të shkatërruar trashëgiminë. Sidoqoftë nga ana tjetër dhe në një kontrast të turpshëm, ndërsa dikur ballistët shquheshin për ngrënien e pulave, Edi Rama ka vendosur të zëvendësojë këtë “hobi” me biftekë të shtrenjtë dhe verë luksoze. Me një menaxhim të shfrenuar të buxhetit shtetëror, ai dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë zgjedhur të mbajë për vete luksin dhe konsumimin e shisheve verë 33 mijë dollarë dhe biftekëve rreth 10 mijë euro në Dubai, duke lënë mënjanë çdo vlerë të vërtetë që lidhet me luftën për çlirim.

Qëndrimi i Edi Ramës

Konkretisht kryeministri Edi Rama, duket qartë se është armiku më i madh i kontributit antifashist të kombit shqiptar. E themi këtë pasi, në faqen 180 të “Refleksioneve” botuar në bashkëpunim me Ardianin Klosin në fillim të viteve 1990, në paragrafin e tretë të këtij libri Edi Rama shkruan: “Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile (…) Prandaj nuk sjell ndonjë fryt të madh pajtimi midis Partisë Demokratike me atë Socialiste ose Ekologjike, por në radhë të parë pajtimi midis ish-palëve pjesëmarrëse në Luftën Civile (dhe trashëgimive të tyre), shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë. Historia e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë që ka qenë thelbi politik i çdo lëvizje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë e nisur kundër okupatorit, degjeneroi në lufte civile…

Prandaj nuk kanë asnjë kuptim thirrjet për harresë dhe për mbyllje dosjesh, kur nuk janë zgjidhur probleme kardinale si Lufta Civile…..” Gjithashtu në të njëjtin botim në faqen 182, Edi Rama sot kryetar i saj, degjeneron Partinë Socialiste për origjinën dhe historinë. “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare … Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”, shkruante Rama atëherë. Pra, e gjithë kjo “përbaltje” që “falsifikatori” Çelo Hoxha po bën ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, buron edhe nga fakti se të njëjtën gjuhë ka artikuluar ndaj luftës partizane dhe kryeministri Edi Rama.

Qëndrimi i Celo Hoxhës

Por duke u frymëzuar nga deklaratat e kryeministrit kundër luftës partizane dhe faktit që ky i fundit ka rehabilituar ballistët, sikundër ishte Mit’hat Frashëri, drejtor i Institutit për Studime të Krimeve të Komunizmit (ISKK) ka sfiduar narrativën tradicionale mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Në analizat e tij të bërë publike në periudha të ndryshme, ai e cilëson Luftën Nacionalçlirimtare si një konflikt të devijuar nga qëllimi i saj fillestar antifashist, duke argumentuar se ajo u shndërrua në një luftë civile. Sipas tij, Partia Komuniste nuk u angazhua vetëm kundër pushtuesve, por e përdori luftën për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe për të siguruar pushtetin e saj pas luftës.

“Nuk ishte rezistencë por luftë civile. Nuk ka asnjë dokument që vërteton se forcat komuniste renditeshin krahas Anglisë dhe koalicionit kundër Boshtit të së Keqes, Gjermanisë dhe Italisë. Partia Komuniste nisi organizmin e formacioneve ushtarake kur dihej që Italia do dilte nga lufta. Në të vetmin dokument që ekziston, Partia Komuniste deklaron luftë Ballit dhe jo pushtuesve. Populli shqiptar nuk e dinte që Partia Komuniste ekzistonte ngaqë ajo funksiononte në ilegalitet. Formacionet luftarake u përdorën për të eleminuar kundërshtarët politikë të Enver Hoxhës dhe jo për të luftuar pushtuesit. Vrasja, plaçkitja dhe turpërimi i femrave ishte kthyer në normë për komunistët”, është shprehur Çelo Hoxha.

Qëndrimet e Agron Tufës

Ndërkohë duke iu referuar fakteve dhe dokumenteve, edhe ish-kreu i Institutit për Studime të Krimeve të Komunizmit (ISKK), Agron Tufa thekson se edhe lufta antifashiste si koncept dhe realitet duhet të zgjerohet dhe të mos mbahet peng i Partisë Komuniste. “Edhe lufta antifashiste si koncept dhe realitet duhet të zgjerohet të mos mbahet peng i Partisë Komuniste, ka pas dhe të rënë dhe është e padrejtë që t’i përjashtosh këta. Jam sulmuar fashist, ballist. Gjyshi im ka qenë partizan deri në ‘45 deri në Vashigrad, unë pra në këtë rast jam kolaboracionisti. Im gjysh ka qenë partizan po edhe po të kishte qenë ballist e legalist do isha kaq krenar, por ja mjafton që të ketë luftuar okupatorin, unë kështu e shoh nga viti 2019 kur po bisedojmë.

Ndjenja patriotike nuk është një gjë e re. Është e çdo populli për të luftuar pushtuesin dhe unë besoj se ato 70 mijë partizanë nga kjo ndjenjë kanë dalë të luftojnë okupatorin. Frytet e kësaj lufte dihen”, është shprehur disa vite më parë. Më tej ndërsa përmend disa nga krimet, ai shprehet se brenda luftës çlirimtare kishte edhe përplasje civile që përgatiti terrenin e sundimit. “Po si të bëjmë? të mbyllim sytë përballë këtyre krimeve, është djegia e shtëpive, konfiskimi i produkteve, ushqimeve që sipas ligjit të luftës janë të dënueshëm dhe hyjnë te kategoria e krimeve prandaj ishte e detyrueshme të lexohej libri”, nënvizon Tufa.

Qëndrimet ndërkombëtare

Megjithatë ndërsa kryeministri Rama dhe njerëzit e komanduar prej tij në institucione që duhet te jenë aty për të folur të vërtetën dhe mos shtrembëruar e retushuar historinë, po hedhin baltë mbi luftën partizane, e vërteta është krejt ndryshe. Arkivat ndërkombëtare dhe studiuesit e huaj japin një vlerësim të qartë për Luftën Nacionalçlirimtare dhe rolin e Ballit Kombëtar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historiani amerikan Bernd Fisher thekson se Balli Kombëtar nuk u krijua për të luftuar pushtuesin, por për të penguar ndikimin e Partisë Komuniste dhe se drejtimi i tij i mbeti elementëve që priren drejt kolaboracionizmit. Studiuesi Peter Lucas pohon se Balli ishte një organizatë nacionaliste antikomuniste që bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë.

Arkivat britanike dhe dokumentet e misioneve ushtarake aleate konfirmojnë se Balli Kombëtar refuzoi të bënte luftë guerile kundër pushtuesve dhe madje nënshkroi një protokoll të fshehtë me italianët për të mos penguar përpjekjet e tyre kundër partizanëve. Studiuesi anglez Reginald Hibbert tregon se Balli justifikoi pasivitetin e tij me pretekstin e shmangies së dëmeve, por në realitet nuk mori pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Shefi i misionit ushtarak anglo-amerikan, Peter Hudson, konfirmon se OSS dhe aleatët mbështetën partizanët si të vetmen forcë të organizuar antifashiste në Shqipëri. Këto burime ndërkombëtare dëshmojnë se Lufta Nacionalçlirimtare ishte një lëvizje legjitime antifashiste, ndërsa Balli Kombëtar u komprometua duke bashkëpunuar me pushtuesit.

Nga Gazeta Sot