“Miss Mary Edith Durham”, me fotografi dhe skica në Muzeun Kombëtar

“Miss Mary Edith Durham”, me fotografi dhe skica në Muzeun Kombëtar. –

21/11/2019

Ekspozita “Miss Mary Edith Durham” u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita vjen me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së “Mbretëreshës së Maleve” Mary Edith Durham (1863-1944), artiste, shkrimtare e shquar britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antroplogjike rreth jetës së Shqipërisë në fund të shek. XIX dhe fillim shekullit XX. Ekspozita përmban fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durhami gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë me fotografi nder të figurës së Edith Durham. Ai u ndal në veçanti në rolin dhe kontributin e çmuar të Edith Durham në çështjen shqiptare dhe veprimtarinë e saj të dendur në Shqipëri, ku ajo ndërmori rreth 7 udhëtime në vendin tonë duke lënë pas një histori të tërë në pasqyrimin e jetës se shqiptarëve dhe rolit të tyre në rajonin e Ballkanit dhe kjo ekspozitë është një pasqyrë e qartë e kontributit të Miss Edith Durham si një pjesë e pandashme e historisë moderne të kombit shqiptar. “Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, sepse ajo nga dita që shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti e vlerat e shqiptarëve”, tha ai.

“Miss Mary Edith Durham”, me fotografi dhe skica në Muzeun Kombëtar

Për studiuesin Jaho Brahaj, Mary Edith Durham ishte e para që arriti të incizonte një lahutar të vendit tonë.

“Mary Edith Durtruam i ka kushtuar vendit tonë shumë studime, që shihen me gjakftohësi dhe pa njëanshmëri, sepse ishte një studiuese që vinte nga një vend i largët, duke i dhënë dhe një këndvështrim të ri studimeve etnologjike për Shqipërinë dhe analizes së shoqërisë shqiptare. Ajo pasqyroi dhe studioi krahas kulturës, traditave, etnografisë, etj, edhe organizimin e jetës politiko-shoqërore në vend.

“Miss Mary Edith Durham”, me fotografi dhe skica në Muzeun Kombëtar

Durham është e para, që ka bërë incizimin e një këngëtari lahutar në Shqipërinë e Veriut, që ruhet në muze në Londër”, shprehet Brahaj. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 nëntor. Po dje në Muzeun Historik Kombëtar u organizua edhe një konferencë shkencore, me pjesëmarrjen e studiuesve të fushave të ndryshme, të cilët me kumtesat e tyre sollën prurje të reja në lidhje me mbresat e udhëtimeve të Edith Durhamit në trojet shqiptare.

Gazeta Sot.