Misteri i “Qytetit të të vdekurve”
16 Korrik 2023
Në një fshat të largët rus, të quajtur Dargavs, gjendet një varrezë masive mesjetare e përmasave të mëdha. I quajtur “Qyteti i të vdekurve”, ky nekropol i lashtë mban eshtrat e më shumë se 10 000 njerëzve – shumë prej të cilëve të varrosur me rrobat dhe sendet e tyre. Sipas besëtytnisë së vendasve, kushdo që guxon të hyjë në këtë vend nuk do të kthehet i gjallë.
Një mori misteresh e rrethojnë këtë vend, të vendosur pranë kufirit me Gjeorgjinë, në Rusinë Jugore. Mistere këto që lidhen me origjinën e varrezës, me datën e ndërtimit të saj, dhe me historinë ndër vite të këtij vendi dhe zonës përreth.
Një teori është se varret me kulm përmbi tokë, mund të jenë ndërtuar gjatë pushtimit mongol-tatar të shekullit të 13-të, ndërsa një hipotezë tjetër sugjeron që “Qyteti i të vdekurve” mund të jetë krijuar duke ndjekur traditën indo-iraniane. Gjithashtu, historianët e lidhin edhe me epideminë e murtajës së përhapur gjatë shekullit 17-18-të, ku banorët e infektuar karantinoheshin në këto kripta mortore dhe prisnin që vdekja të afrohej.
Shumë vizitorë udhëtojnë në këtë varrezë prej 1,5 hektarësh për të parë arkitekturën mesjetare të ruajtur jashtëzakonisht mirë, por jo vetëm kaq. “Njerëzit që vijnë këtu, me frikë nga bukuria e këtij vendi, arrijnë paqen me frikën e përjetshme të vdekjes”, thotë për BBC historiania Luidmila Gaboeva.