
Misteri njëshekullor: – Një grua prapa portretit të mikut të Picassos
Mund të ketë qenë modele, mikeshë, dashnore, por zor se do të zbulohet identiteti i saj.
Më shumë se një shekull, portreti i gruas misterioze qe i fshehur prapa pikturës së Pablo Picassos, “Portreti i Mateu Fernández de Sotos”. E kanë zbuluar së fundmi restauruesit në Institutin e Artit Courtauld në Londër.
“Kaherë kemi dyshuar se prapa portretit të De Sotos është edhe një tjetër pikturë, sepse sipërfaqja e saj ka shenja e teksturë të një vepre tjetër”, ka thënë Barnaby Wright, zëvendësdrejtor i galerisë “Courtauld” në të cilën është ekspozuar vepra krahas disa kryeveprave të Picassos nga koleksioni i koleksionistit të njohur zviceran, Oskar Reinhart.
“Ju madje mund të filloni të dalloni formën e saj vetëm duke këqyrur pikturën me sy të lirë”, ka thënë ai.
“Portreti i Mateu Fernández de Sotos”, që paraqet mikun e Picassos, skulptorin spanjoll, është realizuar në vitin 1901, gjatë Periudhës së Kaltër të piktorit, e cila shënoi një ndryshim të madh në gjuhën pamore të Picassos.

Si nëntëmbëdhjetëvjeçar, Picasso mbërriti në Paris nga Spanja në maj të vitit 1901 për ekspozitën e tij të parë në qytet, e cila u hap muajin pasardhës në galerinë e tregtarit të artit modern Ambroise Vollard. Picasso realizoi një seri pikturash në stilin impresionist për atë ekspozitë, megjithatë, në vjeshtën e vitit 1901, kur pikturoi “Portretin e Mateo Fernández de Sotos”, ai kishte filluar të ndryshonte stilin e tij artistik drejt një qasjeje më soditëse, duke përdorur tonet e së kaltrës.
Kjo periudhë blu u frymëzua pjesërisht nga vetëvrasja e mikut të ngushtë të Picassos, Carlos Casagemas, në fillim të atij viti. Pas vdekjes së tij, Picasso i shndërroi dhomat ku ai jetonte në hapësira pune. Një tjetër mik i tij, skulptori i ri spanjoll Mateu Fernández de Soto, mbërriti në qytet në vjeshtën e vitit 1901 dhe qëndroi në këtë studio me Picasson, ku u realizua ky portret. Piktura në mur pas portretit të Mateo Fernández de Soto është një nga pikturat e famshme të Picassos, që përshkruan varrimin e Casamegas.
Siç ka njoftuar Instituti i Artit Courtauld, imazhet me rreze infra të kuqe dhe me rreze X zbuluan praninë e një gruaje të paidentifikuar nën portretin e De Sotos, për të cilin ekspertët vlerësojnë se ishte realizuar disa muaj më herët. Në incizime dallohen frizura e saj trendi, supet dhe gishtat.
“Hulumtimet e mëtejshme të pikturës dhe analizat e hollësishme mund të zbulojnë më shumë rreth gruas misterioze, por nuk është e sigurt se do të përcaktohet edhe identiteti i saj. Gruaja mund të ketë qenë një modele, mike apo edhe një dashnore që ka pozuar për një nga pikturat shumëngjyrëshe impresioniste të Picassos që përshkruan jetën e natës parisiene ose një grua melankolike të ulur në një bar”, ka analizuar Instituti, duke shtuar se ajo ngjason me pikturat që portretizojnë gra të ulura që Picassoja i realizoi po atë vit.
Mungesa e parave ishte arsyeja më e shpeshtë që artistët të ripërdornin kanavacat në të cilat kishin pikturuar diçka më herët. Disa nga veprat e tjera të Picassos dëshmojnë se kësisoj vepronte edhe artisti – një portret i një gruaje lakuriq u zbulua në vitin 2021 nën pikturën “Darka e një të verbri”.
Gazeta Koha.net