Nga: Adil Fetahu

Këto ditë doli nga shtypi libri i historianit kulturor kroato-amerikan dr. Branimir Anzulloviq: “Sërbia hyjnore – nga miti te gjenocidi”. Pas  Hyrjes (fq.7-19), përmbajtja e librit është ndarë në  gjashtë kapituj (me disa nëntituj): Sërbia hyjnore (fq. 21-52); Ndeshja me turqit (53-69); Malësorët dinarikë dhe këngët e tyre (71-106); Dilemat e identitetit modern kombëtar serb (107-154); Rrethi vicioz i gënjeshtrave dhe frikës (155-230);   Pranimi i miteve prej të huajve (231-276); – dhe Përfundimi (277-286) e Bibliografia (288-295).

***

Në lëvizjet serbe gjatë historisë mitet përbënin fundamentin e kuptimit dhe idealit popullor (kombëtar), ndërsa Kosova u ka shërbyer si burim i miteve për shtetin, për vendin, për shpërnguljet, për kohën e artë dhe heroizmin, për rënien, për popullin qiellor, për rigjenerimin dhe ngritjen, etj. Libri “Serbia hyjnore…” e Anzulloviçit, duke analizuar vepra të ndryshme letrare të intelektualve, kishtarëve dhe elitave serbe të dy shekujve të fundit, ka paraqitur një pasqyrë të plotë të miteve serbe, të cilat kryesisht kanë qenë në funksion të nacionalizmit destruktiv dhe agresiv kundrejt popujve fqinjë.

Në kapitullin e parë autori shpjegon gjenezën e krijimit të miteve serbe. Patriarku serb, Danillo i Tretë, i cili në vitin 1391 i barti eshtrat e knjaz Llazarit prej kishës së Shën Spasit në Prishtinë për në Manastirin e Ravanicës, kishte thurë tregimin për knjazin dhe mitin për Luftën e Kosovës (1389),  dhe tregimet e tjera të thurura në tridhjetë vjetët pas asaj lufte,  tregonin  se si princi Llazar me ushtrinë e tij zgjodhën “mbretërinë qiellore e cila është e përhershme, në vend të mbretërisë tokësore e cila është e përkohëshme”. Ky ishte një mit ngushëllues për luftën e humbur dhe poshtërimin që përjetoi populli serb. Dhe ky u bë miti kryesor për Serbinë hyjnore, me të cilin prijësit e kishës ortodokse serbe, rapsodët me këngët e tyre me lahutë, e më vonë historianë, shkrimtarë, artistë e politikanë serbë e ushqyen popullin e vet gjatë gjithë kohës. Legjenda a miti për Luftën e Kosovës himnizon Millosh Obiliçin i cili, gjoja me një mashtrim, vrau Sulltan Muratin, duke sakrifikuar veten. Nga ky mit u krijua kulti, se kush vdes për Kosovën, siç vdiqën Llazari e Obiliçi, bëhet banor i Serbisë qiellore (hyjnore).  Prandaj, serbët e quajnë veten popull  qiellor.

Mite thurën  edhe për “kryetrimin serb” Kraleviç Markon, i cili në të vërtetë vdiq si vasal i turqëve (1394), duke luftuar në anën e turqëve kundër knjazit vllah Mirçea i Vjetri. Teorinë për Serbinë hyjnore e kanë zhvilluar peshkopët e lartë dhe patriarkët serbë, duke krijuar e lidhur edhe mite tjera për Vidovdanin, Svetosavljen (shën-savizmin), për vuajtjet e serbëve si të  hebrejve, miti për shpatën dhe thikën, miti për rezistencën heroike, miti për popullin viktimë e pafajshme, miti për konspiracionin ndërkombëtar, miti  për rolin prijës të popullit dhe shtetit serb në Ballkan si digë e depërtimit të islamit në Perëndim dhe e depërtimit të katolicizmit në Lindje, etj.etj. Në këtë kapitull, autori analizon edhe ndikimin e Perandorisë Bizantine në institucionet kulturore të Serbisë mesjetare dhe imperializmin e Kishës Ortodokse Serbe,  e cila u lidh ngusht me shtetin në kohën e Shën Savës. Me mite e legjenda, kisha prodhoi 59 shënjëtorë provosllavë pa kurrëfarë kriteri, disa prej të cilëve ishin krimnelë të paskrupulltë,  26 prej të cilëve ishin sundimtarë të shtetit ose anëtarë të familjeve të tyre.

Në kapitullin e dytë (takimi me Turqit), autori shpjegon se si Sërbia mesjetare  nën udhëheqjen e mbretit Urosh, ishte bërë forcë në Ballkan, në sajë të zhvillimit ekonomik (xehëtarisë) që i mundësoi formimin e ushtrisë mercenare, me ndihmën e së cilës pushtoi viset jugore, me synim të ngritjes së mbretërisë serbe në gërmadhat e Bizantit. Perandoria Bizantine ishte gjysma e mbetur e Perandorisë Romake, por e korruptuar dhe e dhunshme. Prej 109 sovranëve bizantinë, 23 u vranë; 20 vdiqën në manastire ose në burgje; 3 vdiqën nga uria; 18 u gjymtuan me kastrim  (tredhje), me nxjerrje të syve ose prerje të duarëve, të hundës; 34 vdiqën në shtrat; 8 në lufta apo në aksidente të tjera; të tjerët u helmuan, u ngulfatën, u mbytën me thikë (fq.31).  Në këtë kapitull, autori vërteton se Serbët vet i kanë kontribuar robërimit të tyre nga Turqit, me faktin se djali i knjaz Llazarit (Stefan Llazari) në vitin 1396 me 15000 serbë luftoi në anën e Turqëve në Nikopojë, kundër aleancës së forcave të krishtera evropiane, ndërsa më vonë Gjuragj Brankoviçi spiunoi te Sulltani për lëvizjet e ushtrisë hungareze, dhe nuk lejoi Gjergj Kastriot-Skenderbeun të kalojë nepër Serbi për t’i shkuar në ndihmë mbretit të Hungarisë. Për bashkëpunimin e serbëve, Turqit e shpërblyen Kishën Serbe me rithemelimin e Patrikanës së Pejës (1557). Në Perandorinë Osmane, kisha ortodokse serbe gëzonte pozicion të privilegjuar dhe praktikisht ajo përfaqësonte identitetin serb, derisa nuk kishte institucione të tjera shtetërore as kulturore. Shumë serbë shërbenin si martologë (ushtarë serbë nën pushtetin otoman).

Në kapitullin e tretë (Malësorët dinarikë dhe këngët e tyre, fq.71-106), Anzulloviçi shtjellon specifikat e dhunës në viset malore të Ballkanit, ku, në mungesë të pushtetit, dominonte “kultura heroike” patriarkale dinarike, dhuna e hakmarrja. Dhuna ishte aq e përhapur sa që u krijuan terma të caktuara: “patricid” (vrasës të prindërve) dhe “infanticid” (vrasës të fëmijëve, fq.76). Po dhunën e himnizonte dhe preferonte edhe vlladika i Malit të Zi, Petar Petroviç Njegosh, në epin e tij  “Gorski vijenac” (Kurora e Maleve, 1847).  Njegoshi i madhëronte krimet e masakrat dhe parapëlqente gjenocidin kundër myslimanëve, si  rrugë për rilindjen kombëtare serbe. Epi “Kurora e Maleve”, që lartësonte gjenocidin kundër myslimanëve, u bë udhërrëfyesi më i popullarizuar se Bibla (fq.97). Bashkë me mitin për Kosovën, “Gorski vijenac” u  bë etika e lëvizjes nacionaliste serbe për tërë kohën, deri në ditët e sotme, gjë që u vërtetua me urrejtjen dhe krimet në luftërat e dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Në kapitulli dilemat e identitetit modern kombëtar (fq. 107-154), autori shpjegon transformimin e mendësisë nacionaliste serbe në ideologji nacionaliste moderne panserbe. Një ndër përfaqësuesit e panserbizmit ishte Dositej Obradoviçi, i cili formuloi idenë serbomadhe të mbështetur në bazë të gjuhës: kudo që flitet gjuha serbe e dialektit “shtokav”, ata janë serbë, pa marrë parasysh se e praktikojnë besimin ortodoks,  katolik apo mysliman. Këtë ide e vazhduan dhe zhvilluan më tutje shkrimtarë e intelektualë tjerë serbë: Jovan Rajiç, Sava Tekelija, Vuk S.Karaxhiç, Nikolla Stojanoviç e deri te Garashanini me projektin e tij “Naçërtanije”, i cili skicoi idenë e formimit të një perandorie serbe,  ide kjo që në një farë mënyre u realizua me formimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1918), e cila në të vërtetë ishte Serbi e madhe. Anzulloviçi shpjegon format dhe shkaqet e dyndjeve popullore nën pushtetin otoman, kur më së tepërmi u shpërngulën Vëllehët, të cilët deri në luftën e fundit përbënin shumicën e popullsisë serbe në Bosnje.  Me gënjeshtrat e thurura për atë dyndje, serbët krijuan një mit të ri “Dyndja e Madhe nga Kosova”, e prirë nga patriarku Arsenije Çarnojeviç (1690). Në të vërtetë, ajo ishte një shpërngulje e më pak se  40.000 qytetarëve serbë, vllehë e të tjerë nga territori që ishte nën Perandorinë Otomane, të cilët shkuan dhe u vendosën në territorin nën dinastinë e Habsburgëve: Vojvodinë e Sllavoni, ku pushteti austriak i dha kishës ortodokse privilegje të mëdha, sa që  në vitin 1713 në Karllovac u themelua Mitropolia ortodokse serbe.  Prej atyre  të shpërngulurve nga viset jugore, të cilëve u printe patriarku Çarnojeviç, vetëm  1/4 e tyre ishin nga Kosova; të tjerët ishin nga Maqedonia, Serbia (fq.109,fusnota).

Manipulimi me numrat, për të sajuar gënjeshtra e mashtrime, është një specialitet i veçantë serb. Ata gjithmonë fryjnë shifrat deri në pakuptimësi. Për këto autori flet në kapitullin Rrethi vicioz i gënjeshtrave dhe frikës. Pas Luftës së Dytë Botërore (1946) Jugosllavia (lexo: Serbia) i paraqiti Komitetit Ndërkombëtar të Reparacioneve shifrën prej 1.706.000 viktima të luftës në Jugosllavi, për të përfituar sa më shumë reparacione. Pas përpunimit të listave të viktimave (1966) doli shifra 597.323 viktima, e që shumica ishin viktima të vëllavrasjeve midis çetnikëve e partizanëve, ose në baza etnike: serbe, kroate, myslimane, shqiptare (fq.158).  Po ashtu, për viktimat (serbe) në kampet e Jasenovcit serbët jepnin shifrën prej 1,5 milion, ndërsa pas përpunimit të listave të viktimave doli shifra 77.200, prej të cilëve serbë ishin 41.136 (fq.162-163).  Por kjo shifër nuk e pengonte peshkopin serb Jovan Velimiroviç të konstatonte se nga viktimat e Jasenovcit, Serbia hyjnore  u bë shteti më i madh në qiell, ndërsa Jasenovci  qyteti më  i  madh serb – nën tokë!

Shifra të tilla të fryra serbët kanë dhënë e japin gjithnjë edhe për të shpërngulurit, viktimat dhe kategori të tjera të serbëve nga Kosova. Mitet e krijuara dhe gënjeshtrat e shifrat për vuajtjet e popullit serb nga të tjerët, ishin paradigmat psikologjike që i paraprinë edhe agresionit të përgjakshëm serb, në luftrat e fundit në Kroaci, Bosnje e Kosovë. Kishtarë, historianë, poetë, shkrimtarë, artististë, politikanë, diplomat e ushtarakë, duke gënjyer krijuan mite për viktimizimin e serbëve prej të tjerëve, dhe me këto arsyetuan hakmarrjen dhe pretendimin për t’u bërë forcë dominuese në rajon. Kjo mendësi përshkohet në veprat e elitave  bashkëkohore intelektuale e shkencore: Vasilije Krestiç, Dobrica Qosiç, Radovan Karaxhiç, Vuk Drashkoviç, Vojisllav Lumbarda e të tjerë, që u sintetizua edhe në Memorandumin famëkeq të Akademisë së Shkencave të Serbisë (1986).

Mitet dhe gënjeshtrat janë specialitete serbe. Shkrimtari e akademiku serbo-malazes Matija Beçkoviç thotë se miti është feja jonë (fq.179), kurse “pajdashi” i tij, romancieri e akademiku, babai shpirtëror i kombit serb, Dobrica Qosiç, gënjeshtrën e lartëson në virtyt. Ja çfarë thotë ai për gënjeshtrën: “Ne gënjejmë që ta mashtrojmë veten, t’i ngushëllojmë të tjerët; gënjejmë nga mëshira, gënjejmë nga turpi, për të trimëruar e për të fshehur mjerimin tonë; gënjejmë për shkak të nderit! Gënjejmë në mënyrë kreative, imagjinative dhe inventive. Gënjeshtra është interesi shtetëror serb. Gënjeshtra është  e mishëruar në vetë qenien e Serbit. Në këtë vend secila gënjeshtër në fund bëhet e vërtetë. Serbët aq shumë herë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra.

Në kapitullin e gjashtë:pranimi i miteve prej të huajve, analizohet receptimi (pranimi) i miteve nga popujt dhe shtetet e Perëndimit, qoftë në kohën e romantizmit apo edhe më vonë. Kështu, në kohën e Luftës së Parë Botërore, të cilën Serbia e shkaktoi vet, më pas u bë aleate e përkëdhelur e shteteve fituese të asaj lufte: Angli, Francë, Amerikë. Se sa ishin të përhapura dhe të pranuara mitet serbe në botë, autori tregon shembullin e historianit anglez, R.W.Watson, i cili  (në vitin 1916) kishte organizuar shënimin e përvjetorit të Betejës së Kosovës dhe kishte përgatitur një fjalim: “Serbia dje, sot, nesër”, ku e lartëson heroizmin serb në Luftën e Kosovës (1389) dhe vuajtjet pas asaj lufte. Ai fjalim u lexua publikisht në çdo klasë në 12 mijë shkolla anekënd Anglisë. Vetëm dy vjet më vonë, edhe në Amerikë, në përvjetorin e Betejës së Kosovës, nëpër tubime, ligjërata e fjalime u bë një propagandë e madhe për rolin dhe martirizimin të Serbisë (fq.233). Fuqitë e mëdha e glorifikonin Serbinë, sipas parimit: “armiku i armiku tim, është miku im”, meqënse Serbia ishte armike e Austrohungarisë në Luftën e Parë Botërore.  Efekti i parë i mitit për Kosovën, ishte pushtimi serb i Kosovës në Luftën ballkanike (1912/13), pushtim këtë që ia njohën fuqitë e mëdha. Mosuniteti kundrejt Kosovës i fuqive të mëdha, madje edhe i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian edhe tash i ushqen shpresat dhe ambiciet e Serbisë për ta rikthyer Kosovën nën pushtimin e saj dhe rrezikon paqen në Ballkan.

Ka pasur dhe ka Serbia intelektualë e politikanë të aftë, realë e të ndershëm, të cilët nuk i kanë pranuar as nuk i pranojnë mitet, i kundërshtojnë avanturat nacionaliste dhe duan të jetojnë në paqe me fqinjët, por ata janë në numër të paktë dhe të izoluar e urryer prej shumicës. Sepse, mitet dhe gënjeshtrat, të shoqëruara me urrejtje e të përhapura prej institucioneve autoritative, emërmëdha, siç janë Kisha Ortodokse Serbe, Akademia  Serbe e Shkencave dhe Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë dhe institucione e shoqata të ndryshme profesionale e shkencore, kanë ndikimin e vet të cilave individët dhe masat e gjera e të painformura mirë, nuk mund t’iu rezistojnë. Prej miteve e gënjeshtrave të vjetra e të reja nacionaliste, janë frymëzuar  projektuesit, urdhëruesit dhe zbatuesit e krimeve, spastrimeve etnike dhe gjenocidve që ka bërë shteti i Serbisë,  gjatë Luftës Ballkanike, Luftës së Dytë Botërore dhe luftës në dekadën e fundit të shekullit 20.

Branimir Anzulloviq: SERBIA HYJNORE, nga miti te gjenocidi;  përktheu nga origjinali (anglisht) Nehat Salihu,  botoi “Koha”, Prishtinë 2017

Biografi e shkurtër për autorin:  Dr Branimir Anzulloviq u lind në Zagreb, më 1926. Është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit (1952), pastaj është shpërngulur në SHBA. Në Universitetin Indiana, në vitin 1972 ka mbrojtur tezën e doktoratës për letërsinë krahasuese. Ka shkruar, botuar e ligjëruar për letërsinë, historinë e kulturës dhe teorinë e letërsisë në Universitetin Indiana dhe në Arizonë.  Vite të tëra ka hulumtuar rrethanat historike, filozofike dhe sociologjike të cilat kanë gjeneruar ideologjinë e ekspansionizmit serb. Prej atyre hulumtimeve ka dalë edhe libri i përmendur më lart, botuar në vitin 1999, në gjuhën angleze, e më vonë përkthyer nga vet autori. Lexuesi i vëmendshëm mund të vërejë se autori në librin e tij nuk përdorë fjalë të rënda as nuk shpreh urrejtje, veçse me argumente shkencore dhe me fakte historike jep diagnozën e politikës serbomadhe, e cila mbështetet në mite e gënjeshtra dhe në rrethana specifike historike e kulturore. Këtë e dëshmon me një bibliografi të pasur prej 150 njësive respektuese nga gjuha kroate, serbe, angleze, gjermane e franceze. Anzulloviç ka vdekur në vitin 2001. Redaksia e botimeve të Grupit “Koha”, ka bërë punë të mirë që librin e botoi në shqip, për lexuesit e shumtë, për të cilin do të këshilloja ta lexojnë njerëzit që merren me politikë.