Mjekët ngrejnë alarmin: – Pacientëve po u jepen antibiotikë “me lopatë” kundër Covid
Mjekët ngrejnë alarmin: – Pacientëve po u jepen antibiotikë “me lopatë” kundër Covid
08/10/2020
Nga: Nertila Dosti
“Nëse i kemi marrë me “lopatë” deri tani antibiotikë, çfarë do të bëhet sot dhe deri në fund të marsit dhe të prillit kur të bëhen bashkë dy lloj virusesh?!”
Mjekët infeksionistë ngrejnë alarmin për përdorimin e tepruar të antibiotikëve dhe kortizonëve në trajtimin e të infektuarve me virusin Sars Cov 2.
Mjekja, Sabahet Dedja, apelon kolegët që të mos rekomandojnë këto medikamente për pacientët që kurohen në shtëpi dhe kanë simptoma të lehta të virusit.
“Shohim përdorim me “lopatë” të antibiotikëve. Nëse të sëmurit brenda tre ditëve i ulet temperatura, nuk ka kollë ose nuk kemi prekje të trurit, zemrës, veshkave apo organi tjetër nuk kemi arsye që të sëmurin që ditët e para ta rëndojmë me antibiotikë dhe kortizonikë.Të paktën për format e lehta një antibiotik, por jo tre antibiotikë!”
Frika nga komplikacionet e mundshme është një ndër nga arsyet që mjekët nuk i kursejnë antibiotikët për pacientët.
“Duke menduar se po bëjnë më të mirën e mundshme ata shkojnë te antibiotiku i fundit. Nëse i kemi marrë me “lopatë” deri tani antibiotikë, çfarë do të bëhet sot dhe deri në fund të marsit dhe të prillit kur të bëhen bashkë dy lloj virusesh?!”
Por përdorimi abuziv i tyre shkakton një sërë efektesh anësore në shëndet.
“Dhimbje koke, të përziera, të vjella, shfaqje të elementëve në këkurë, diarre. Nganjëherë ndodh që të shfaqin reaksione edhe pak më të rënda.”
Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera, nuk ka një protokoll për kurimin e Covid 19, por mjekët infeksionistë thonë se përdorimi i antiviralëve do të ishte shumë më efektiv se ai i antibiotikëve
Ora News