MOIKOM ZEQO: – DURRËSI KA 30 VJET QË ËSHTË INVALID NË ARKEOLOGJI!
MOIKOM ZEQO: – DURRËSI KA 30 VJET QË ËSHTË INVALID NË ARKEOLOGJI!
09 qershor 2020
Studiuesi edhe arkeologu Moikom Zeqo flet për Planin e Menaxhimit të Integruar për zonat arkeologjike A dhe B në Durrës. Ndonëse marrëveshja mes ministrisë dhe Fondit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim nënshkruhet në 9 qershor, Zeqo shprehet skeptik për te, pasi ky qytet prej 30 vitesh është invalid në arkeologji.
Ministria e Kulturës pas marrëveshjes për hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Butrintin, nënshkruan në 9 qershor 2020 marrëveshjen për hartimin e një tjetër plani me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Ky Plan Menaxhimi i Integruar do të jetë përkatësisht për zonat arkeologjike A dhe B në Durrës. Fillimisht ministrja e Kulturës, Elva Margariti, këtë iniciativë e ka bërë publike në muajin mars të 2020-s.
“Projektet e mëdha të Ministrisë së Kulturës kalojnë nëpër sitet më të prekura në Durrës, kemi nisur punën për një projekti shumë më të madh, që nuk është vetëm në pjesët e dëmtuara në Amfiteatër, në mure e në Kala, por mbi të gjitha do të jetë një punë që do të çojë në Plani Menaxhimi të mirëfilltë, të një zone më të madhe, të Parkut Arkeologjik. Kjo formulë do i kthejë Durrësit atë hijeshi që ka pasur. Një formulë për qytetarët edhe për studentët që duhet të mësojnë mbi kombin e tyre”, u shpreh para tre muajsh, Elva Margariti.
Ndonëse projekti, sipas Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, synon që të sigurojë një qasje të qëndrueshme që integron mbrojtjen e zonave arkeologjike A dhe B me nevojën për zhvillim ekonomik në qytet, profesori dhe arkeologu Moikom Zeqo shprehet se:
“Unë kam jetuar gjithë jetën në Durrës. Zonën A dhe B të Durrësit, atë që quhet zonifikimi arkeologjik me ligj e njoh mirë. Asnjë qytet arkeologjik në Shqipëri s’ka pasur ligj. Ky organizëm, se di çfarë fuqie menaxhuese ka, por s’ka të bëjë fare me arkeologjitë dhe fuqitë shkencore. Pasi po merr një situatë të vdekur, sepse zona A dhe zona B janë zonat ku është ndërhyrë dhe shkatërruar qyteti i Durrësit. Çfarë do bëjë ky fondacion? Zhvillimi ekonomik i zonës, s’ka të bëjë më arkeologjinë. Ne qytetin e Durrësit e kemi invalid. Shumë elementë arkeologjik të qytetit i kemi shkatërruar në 20-30 vjet”.
Ndërsa, mospërfshirja e arkeologëve vendas në këto projekte, bëjnë që Zeqo të jetë skeptik mbi to.
“Siç kam kundërshtuar rastin e Butrintit, as në këtë rast s’jam optimist. Lëre që s’janë përfshirë specialistët shqiptarë, cili arkeolog nga Durrësi është në këtë organizëm? S’jam në gjendje ta kuptoj”, shprehet arkeologu.
Ministria e Kulturës këtë iniciativë e ndërmerr si një ndërhyrje strategjike, për nevojën për një ringjallje të qytetit, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i datës 26 nëntor të vitit 2019./shqiptarja