MOIKOM ZEQO: – Epitafi i Gllavenicës, objekti më i shquar i mesjetës shqiptare. –
MOIKOM ZEQO: – Epitafi i Gllavenicës, objekti më
i shquar i mesjetës shqiptare. –
Epitafi i Gllavenicës daton në vitin 1373 dhe është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar në afërsi të Ballshit. Në momentin që u gjet, epitafi ishte i palosur dhe i dëmtuar nga brejtësit. Epitafi i përkiste kishës së Gllavenicës (Ballshit të sotëm). Emërtimin “Epitafi i Gllavenicës” e ka bërë studiuesi Theofan Popa, duke u bazuar në titullin kishtar që kishte peshkopi Kalist, i Gllavenicës dhe i Beratit.
Epitafi i Gllavenicës daton në vitin 1373 dhe është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar në afërsi të Ballshit. Në momentin që u gjet, epitafi ishte i palosur dhe i dëmtuar nga brejtësit. Epitafi i përkiste kishës së Gllavenicës (Ballshit të sotëm). Emërtimin “Epitafi i Gllavenicës” e ka bërë studiuesi Theofan Popa, duke u bazuar në titullin kishtar që kishte peshkopi Kalist, i Gllavenicës dhe i Beratit. Për të arritur në këtë përfundim, Popa është mbështetur në një gojëdhënë vendase, sipas së cilës: “Epitafi i Gllavenicës dhe lipsanet e Gorazhdit dhe të Angjellarit, të cilët kishin qenë episkopët e Gllavenicës gjatë viteve të pushtimit bullgar, janë sjellë në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në kalanë e Beratit nga kisha “Fjetja e Hyjlindëses” që gjendej në Ballsh. Veç tyre ka pasur edhe objekte të tjera kishtare si libra liturgjikë dhe pergamenë”. Fillimisht murgjit e manastirit i shpunë ato në manastirin e Shën Gjergjit në fshatin Mbreshtan të Beratit. Pas islamizimit të fshatit në kohën e pushtimit osman reliket e shenjta u prunë në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në kalanë e Beratit.
Në vitin 1980, kur u përurua Muzeu i Artit Mesjetar në qytetin e Korçës, qytetarëve beratas, duke ditur se dispononin mjaft objekte me vlerë u lindi idea që të krijonin një muze mesjetar në qytetin e tyre. Për këtë kërkuan ndihmën e udhëheqësit të asaj kohe z. Ramiz Alia, duke shfrytëzuar vizitën e tij në Berat. Epitafin e kishin mbështjellë rrulo dhe e kishin futur në një sënduk. Ramiz Alia duke parë kushtet e këqija ku ruhej epitafi urdhëroi që ta sillnin në Tiranë.
Në vitin 1981, Epitafi i Gllavenicës është ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Epitafi i Gllavenicës gjendet në pavijonin e mesjetës, në katin e dytë të muzeut. Ai është vendosur në një vitrinë prej xhami, në mesin e sallës. Gjatësia e epitafit është 212 cm, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 cm. Epitafi është qëndisur në një pëlhurë në formë katërkëndëshe, e cila ka një kornizë me gjerësi rreth 14,5 cm. Korniza është e qëndisur me fije argjendi të lara me ar dhe është e stolisur me 250 kryqe të vendosur dy e nga dy në vijë paralele. Sipërfaqja ku është Krishti i shtrirë ka përmasat 148×41 cm. Fusha e ndërmjetme është e zbukuruar me rreth 194 lule të rrumbullakta të qëndisura me fije argjendi të lara me ar mbi mëndafsh. Lulet janë në ngjyrë blu, të kuqe dhe të gjelbër. Madhësia e luleve është rreth 4×4 cm, ndërsa madhësia e gjetheve është 4,5×3,7cm. Epitafi është qëndisur në një pëlhurë të mëndafshtë. Mbi të janë realizuar qëndismat dhe shkrimet. Pëlhura është një endje sarzh me nuanca kafe dhe violë. Mëndafshi i përdorur është i cilësisë së lartë dhe i pangjyrosur. Filli metalik, me anën e së cilit është qëndisur epitafi është prej argjendi të larë me ar. Nga ngjyrat me të cilat është qëndisur Epitafi i Gllavenicës, shquhet ngjyra e kuqe, e cila përdorej vetëm në tekstilet e çmuara. Kjo ngjyrë krijohej nga një insekt i quajtur kermes, që gjindej në Shqipëri.
Figura qendrore e epitafit është Krishti i shtrirë në çarçaf. Krishti ka përmasat 126×23 cm. Aureola e Krishtit ka diametër 24,5 cm. Mbi dorën dhe këmbën e djathtë dallohen shenjat e gozhdëve, që e mbërthyen në kryq. Nga brinja duken rrëketë e gjakut. Tek kryet e Krishtit qëndron Shën Mëria, e cila është e qëndisur brenda një rrethi me diametër 13,5 cm. Dorën e djathtë e ka mbështetur në mjekër dhe është duke vajtuar birin e saj të vdekur. Tek këmbët e Krishtit paraqitet Joan Teologu. Dorën e djathtë e ka mbështetur në mjekër dhe është duke vajtuar mësuesin e tij. Joan Teologu paraqitet në moshë të re.
Epitafi është qëndisur në pëlhurë në formë katërkëndëshe, e cila ka një kornizë me gjerësi rreth 14 cm. Korniza është e stolisur me kryqe të vendosura dy e nga dy në vijë paralele. Nëpër qoshet e epitafit gjenden katër ungjillorët. Në brendësi janë katër serafimë, që mbajnë nga dy eksapterë në duar. Në to shkruhet “i shenjtë”, “i shenjtë”. Brenda kornizës është kryqi emblematik i peshkopit të Gllavenicës, Kalistit që është ktitori i epitafit. Kryqi qëndron mbi maketin e një kishe. Mbi kryq gjendet një kurorë e gjelbër. Në hapsirën e kryqit është shkruar në greqishten bizantine IC XC që do të thotë Isu Krishti. Kryqi është qëndisur me fije argjendi të lara me ar. Korniza e krahëve të kryqit është qëndisur me fill të kuq. Në anën e djathtë të kryqit paraqitet një lambadhë e kuqe. Kryqi gjendet brenda një aureole të qëndisur me fije argjendi të lara me ar. Fusha dhe aureola janë të stolisura me motive floreale ngjyrë blu, të kuqe dhe të verdhë.
Në pjesën e sipërme të epitafit gjenden profeti Moisi (përmasat 23×22,5 cm), profeti Isaia (përmasat 23,2×16,6cm) dhe Josifi nga Arimathea (përmasat 24,5×13,5 cm). Ky i fundit mori vendimin të shkonte tek Pilati, për t’i kërkuar trupin Krishtit për ta varrosur. Pilati, pasi u sigurua prej kryeqindëshit që Krishti kishte vdekur e lejoi Josifin që ta merrte. Pasi u largua prej Pilatit ai bleu të gjitha gjërat që nevojiteshin për varrim. Josifi paraqitet duke mbajtur në dorë pëlhurën me të cilën mbështolli Krishtin. Hapësira tjetër e epitafit është e mbushur me figurina engjëllore (përmasat 22×14,7) dhe me lule prej ari dhe mëndafshi blu, të kuq e të gjelbër.
Mbi kokën e Krishtit është shkruar në greqishten bizantine që do të thotë “Epitafi i Jisu Krishtit”. Mbishkrimi ka përmasat 12×3,3 cm. Mbishkrimi i epitafit është qëndisur në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit. Kolona ku është shkruar mbishkrimi ka përmasat 87×6 cm. Madhësia e gërmave është 3 cm. Disa gërma janë zhdukur. Mbishkrimi i epitafit është deshifruar nga A. Papadopulus-Kerameus dhe nga Theofan Popa.
U plotësua (qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithnderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur, me shpenzimin dhe mundimin e peshkopit të gjithhirshëm, Kalistit të Gllavenicës dhe Beratit, në muajin mars 22, viti 6881(=1373).
“Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërinjve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Balshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arqendisësit.
Fjala epitaf vjen nga greqishtja bizantine dhe do të thotë “përmbi-varr” ose siç mund të thuhet ndryshe “mbulesë-varri”. Po të analizojmë pjesën e parë të mbishkrimit mësojmë se ktitor i epitafit është Kalisti, peshkopi i Gllavenicës dhe Beratit. Gllavenica ka qenë qendra më e rëndësishme e epokës paleokristiane në Shqipëri. Peshkopi i Gllavenicës e kishte rezidencën në kishën “Fjetja e Hyjlindëses” që gjendej në Ballsh. Kur Gllavenica e humbi rëndësinë si qendër peshkopale rezidenca e peshkopatës u zhvendos në Berat. Në shekullin XV, Berati u shndërrua në Mitropoli, duke u bërë një nga qendrat e rëndësishme kishtare të Shqipërisë së Jugut.
Pjesa e parë e mbishkrimit na bën me dije se epitafi i kushtohej së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur, që do të thotë se ka qenë kisha “Fjetja e Hyjlindëses”. Në këtë rast kemi të bëjmë me dy kisha, që kanë të njënjtin emër dhe që ndodhen në të njënjtën dioqezë kishtare. Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në Gllavenicë si edhe kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në Berat. Në shekullin XIV më shumë mundësi ka që kisha të ketë qenë në Berat, sepse në atë kohë qendra kishtare e Gllavenicës ishte shuar. Fjala gllavenicë në sllavisht do të thotë kokë. Epitafi është qëndisur në vitin 6881 nga krijimi i botës, datë e cila sipas kalendarit bizantin korrespodon më 22 mars të vitit 1373. Epitafi është i qëndisur me fije argjendi të lara me ar, në mëndafsh të butë.
Pjesa e dytë të mbishkrimit fillon me një varg poetik, që mbaron me një pasthirmë: Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Sipas mendimit tonë vargu mund të jetë pjesë e shkëputur nga shërbesa e të Premtes së Zezë. Nga mbishkrimi del qartë se peshkopi Kalist e ka porositur epitafin në kohën e zotërimit të Balshajve. Në vitin 1373 në krye të principatës së Balshajve qëndronte Balsha II. Në frazën e fundit të mbishkrimit është shkruar Dora e Gjergj Arianitit dhe arqëndisësit (hrisoglavari), të cilën gabimisht e kanë marrë për Kristo Gllavari. Ai që ka qëndisur epitafin nuk e ka shkruar emrin në të, por quhet thjesht “arqëndisësi”. Duke u nisur nga kjo e dhënë mund të mendojmë se ka qenë ndonjë murg, i cili nga përulësia nuk e ka shkruar emrin në veprën e tij. Sipas Theofan Popës qëndisjen e epitafit e ka realizuar dora e murgut Savia dhe Gjergj Arianitit.
Sipërfaqja e epitafit ka qenë e mbuluar me njolla të zeza, të bardha dhe rozë. Këto qenë shkaktuar nga pikimi i qirinjve, sepse shërbesa e epitafit shoqërohet me qirinj të ndezur. Qirinjtë qenë prej dylli ose parafine. Gjithashtu tymi i shkaktuar nga diegia e qirinjve e ka zbehur shkëlqimin e mëndafshit dhe të fillit metalik, me të cilin janë shkruar mbishkrimet. Në pjesën e pasme të tij, epitafi është dëmtuar nga prekja me duar e besimtarëve. Kjo ka shkaktuar zhdukjen e qëndismës vende-vende. Në një vend, gjithashtu epitafi është dëmtuar nga brejtësit, gjatë kohës që ka qëndruar në qilar. Pjesa e poshtme e epitafit është në gjendje të mirë. Ajo ka ngjyrë të kuqe të vrarë. Procesi i restaurimit të epitafit zgjati rreth katër muaj. Në vitin 1974 Epitafi i Gllavenicës është ekspozuar në Pti-Pale të Parisit, ku bizantologu Andrea Grabar e ka cilësuar atë si të tretin në llojin e vet në Evropë. Në verën e vitit 1981, Epitafi i Gllavenicës u përgatit për tu ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, prandaj iu nënshtrua një ndërhyrje konservuese, e cila sigurisht që ishte më e plotë se e para. Pasi u pastrua nga bloza që kishtë zënë gjatë shekujve, epitafi u la dhe u zhvesh nga arnat që kishte në pjesën e përparme të tij. Në vijim u vendos mbi një pllakë prej kompesatoje dhe u mbulua me peksigllas të presuar. Fillimisht u vendos në pozicionin vertikal, ndërsa vite më vonë, Epitafi i Gllavenicës u vendos i shtrirë në ekspozitorin ku gjendet edhe sot.