Moikom Zeqo: – “Nuk e besoj që zgjedhjet do mbahen më 30 qershor …
Moikom Zeqo: – “Nuk e besoj që zgjedhjet do mbahen më 30 qershor …
10 Qershor 2019
Duke kujtuar se dikur ka qenë në politikë, Moikom Zeqo tha se ai ndihej sot krejt i huaj sidomos për forcën politike për të cilën kishte kontribuar.
Ai tha: “Sot jam i distancuar sidomos nga opinion bëresit të lidhur me interesa të caktuara. E kam parë politikën si fenomen, nuk ka folur në mënyrë fyese, kritike. Këtë klasë e kam quajtur klasë parapolitike. Është e tillë edhe në Kosovë e Maqedoni. këtu mbizotëron ideja e politikanëve që nuk e kuptojnë thelbin e kulturës politike.”
I pyetur në lidhje me veprimin e Presidentit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve, Zeqo tha:
“Është një gjë e përsëritur. Nuk është hera e parë që ndodh, e ka bërë edhe Nishani. Ndoshta duhet të kishte një datë të dytë, ose duhej thënë se do ketë një datë tjetër. Por në këtë rast kishte një precedent: Forca më e madhe opozitare nuk hynte në zgjedhje.”
Zeqo, gjithashtu, deklaroi se në Shqipëri ishin bërë dy atentate kushtetuese.
Ai nënvizoi: “Kjo klasë politike me përfaqësues të klonuar ka bërë dy atentate të mëdha ndaj Kushtetues: Ndryshimet e kobshme të 2008, që ishte një marrëveshje mes Ramës e Berishës nga e cila është goditur në thelb Kushtetuta, janë goditur zgjedhjet. Kryetarët e partive morën të drejtën e monarkut, ne jemi të kapur nga kjo gjë. Lënia e mandateve është pasojë e ndryshimeve të kobshme të 2008”.
Ndër të tjera, Moikom Zeqo tha se nuk besonte se do të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor, por as faktin që mund të shkarkohet Presidenti, ashtu siç thotë PS.
“Nuk e besoj që zgjedhjet do mbahen më 30 qershor. Nuk e besoj që mund të bëhet edhe një veprim për të shkarkuar Metën. Mendoj që nuk është një nga ato situatat pa rrugëzgjidhje, kemi kaluar situata më të rënda në ‘97 e ‘98. Nuk mendoj që këta politikanë që kemi ne sot, që janë përgjegjës për këtë krizë do ta çojnë vendin drejt një mosbindje civile,” tha ai.
I pyetur nëse i druhej ndonjë përplasjeje civile, Zeqo tha: ‘Këto thirrjet për mosbindje civile më duken si ekuacionet e propagandës. Opozita thotë që janë protesta popullore, por s’është e vërtetë. Ka edhe një elektorat tjetër që nuk shkon pas tyre. Ne mendojmë që luftohet pas propagandës,” u shpreh Zeqo.
e.ll./dita